Përfundon Bastisja në Banesën e Fuad Ramiqit

12:10

Sapo ka përfunduar bastisja në banesën e Fuad Ramiqit.

Gazetarët e KALLXO.com, nga vendi I ngjarjes raportojnë se hetuesia ka konfiskuar disa materiale të futura në qese të mëdha letre. Është konfiskuar poashtu një shtëpizë kompjuteri.

Pas kësaj një veturë civile e policisë është futur në parkingun e brendshëm të banesës dhe e ka marrë Fuad Ramiqin, për ta shoqëruar në polici.

12:01

Prokurori i Shtetit ka dërguar një komunikatë ku njofton për arrestimet e sotme.

Aty thuhet se me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Urdhër bastisje dhe ndalim dhe pas vendimit të Gjyqtarit të procedues paraprake të Gjykatës Kompetente, sot është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës, me ç’rast janë bastisur dhe janë arrestuar 15 persona.

Të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, sipas kësaj komunikate.

“Pas veprimeve të ndërmarra sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me ligj”, përfundon komunikatën e vet Prokurori i Shtetit.

11:08

Policia e Kosovës ka dërguar një njoftim ku thuhet se në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i gjerë policor në nivel të vendit, për arrestimin e personave të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Gjatë realizimit të këtij operacioni policor janë bastisur gjashtëmbëdhjetë (16) lokacione ku janë arrestuar pesëmbëdhjetë (15) persona”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: SH. K. (1966) – Prishtinë, T. A. (1987) – Prishtinë, F. R. (1960) – Prishtinë, E. A. (1971) – Mitrovicë, E. R. (1976) – Mitrovicë, E. N. (1981) – Mitrovicë, E. G. (1978) – Pejë, D.GJ. (1987) – Pejë, M.M. (1958) – Prizren, B. R. (1980) – Prizren, I. B. (1981) – Prizren, L. R. (1979) – Prizren, A. M. (1985) – Ferizaj, Sh. K. (1989) – Ferizaj dhe S. S. (1981) – Gjilan.

Policia njofton po ashtu se në cilësi të provave materiale janë konfiskuar materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë pajisje elektronike si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin.

“Ky operacion policor është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, Republika e Kosovës njihet si vend i tolerancës fetare dhe i respektimit të të drejtave të njeriut pa dallime race, feje apo gjinie.

Po ashtu Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët e saj për rrezikun që i kanoset çdokujt që merr rrugë për t’iu bashkuar organizatave të dyshuara që operojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut.

“Një pjesë e madhe e këtyre organizatave siç janë Al-Nusra dhe ISIS, janë të shpallura Organizata Terroriste nga organizmat ndërkombëtarë si dhe të njohura si të tilla edhe nga institucionet vendore, andaj Policia e Kosovës u bën apel të gjithë personave që mos të bien pre e joshjeve dhe indoktrinimeve ideologjike dhe për çdo rast të njoftojnë Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në të kundërtën Policia e Kosovës duke u bazuar në mandatin ligjor do të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar dhe për të luftuar çdo formë të ekstremizmit të dhunshëm, përfshirjes së individëve në aktivitete kriminale, në organizata apo grupe terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme përkrahin, financojnë, rekrutojnë apo nxisin urrejtje kombëtare, racore apo fetare, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.

10:40

Kryetari i Partisë LISBA, Fuad Ramiqi, është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa para pak çastesh është sjellë në shtëpinë e tij bashkë me policinë, për të qenë prezent gjatë bastisjes së banesës së tij.

Aktualisht para banesës së tij gjenden njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Partia që e drejton Ramiqi, reagoi ndaj aksionit të arrestimit të tij dhe imamëve të tjerë duke thënë se “do të organizojë protesta dhe do të marrë masat e nevojshme ligjore për lirimin e të burgosurve”.

“Sot policia e Hashim Thaçit ka marrë aksion për arrestimin e imamëve të njohur dhe Fuad Ramiqit. LISBA është duke i ndjekur me vëmendje këto zhvillime, këto arrestime janë kryekëput politike dhe të arrestuarit nuk janë assesi të involvuar në akuzat që ju bëhen”, thuhet në deklaratën e LISBA-s.

“LISBA dënon aktin e persekutimit të myslimanëve në Kosovë dhe kërkon nga Policia e Kosovës të mos bëhet lojë e politikës. Policia e Kosovës duhet t’i shërbejë popullit dhe jo mbulimit të krimeve të individëve të caktuar”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

09:03

Arrestohen Imamë e Politikanë në Prishtinë e Mitrovicë

Një zyrtar i policisë konfirmoi operacionin, por nuk pranoi të japë detaje.

“Është realizuar një operacion i policisë në orët e heshme të mëngjesit. Për detaje ju informojmë më vonë”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.

Mediat raportojnë se në Prishtinë janë arrestuar imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi dhe kryetari i partisë Lëvizja Islame Bashkohu (LISBA), Fuad Ramiqi.

Ndërsa burime policore nga Mitrovica bëjnë të ditur se në operacionin e ndërmarrë në këtë qytet janë arrestuar imamët Enis Rama, imam i Xhamisë së Zallit, tani e njohur si Xhamia e Re në Mitrovicë; Ekrem Avdiu, imam në xhaminë e lagjes Tavnik dhe Eroll Nesimi, imam në lagjen Fidanishte.