“Jeta në Kosovë” Sonte në Intervistë me Rektorin e Ri të UP-së

Në këtë intervistë, rektori i sapozgjedhur i përgjigjet edhe në atë se cila është strategjia e tij për t’i tejkaluar problemet e mëdha që konsiderohet se i ka UP-ja, çfarë kishte thënë ai më herët për zhvillimet në UP, e çfarë thotë sot, për çka kishte kritikuar më herët, kurse sot a u qëndron besnik fjalëve, kënd e quan ai ‘kategoria më llaskuce” e shoqërisë, cila do të jetë fuqia e tij karshi ndikimeve politike në UP, kush e solli atë në këtë pozitë, si u bë që baxhanaku i tij ishte në Këshillin Drejtues, i cili e zgjodhi atë në këtë pozitë.

Rektori Zejnullahu në këtë intervistë e pranoi se në Këshillin Drejtues të UP-së, i cili e zgjodhi atë, ka qenë edhe baxhanaku i tij Blerim Kamberi.

Ai thotë se anëtarët e këtij këshilli e kanë ditur një gjë të tillë, përderisa kryesuesja e këtij Këshilli Shefkije Islamaj, ka thënë ditë më parë për KALLXO.com se nuk e ka pasur këtë informatë.

Megjithatë, rektori Zejnullahu thotë të mos i ketë hyrë kësaj gare për shkak të përfitimeve, por për ta ndryshuar gjendjen në UP, e cila sipas tij, është e mundshme.

Ai vlerëson se që nga paslufta UP-ja është udhëhequr kryesisht nga pensionistët. Premtoi se politika do të jetë larg UP-së, duke thënë se nuk i takon asnjë partie. Por nuk e përjashtoj mundësisë që në familjen e tij të ketë anëtarë të partive politike.

Tash për tash, rektori Ramadan Zejnullahu thotë se “jetojmë në një ambient ku një profesor me përvojë universitare vlen më pak se një baxhanak në Këshillin Drejtues.

Madje, ai i quan profesorët si “kategoria në llaskuce e shoqërisë”.

Rektori premtoi se do të bëjë ndryshime pozitive në UP. Tha se fillimisht hapat do të jenë të vegjël, porse çdo muaj do të ketë zhvillime.

Ai nuk dha premtim të qartë se çka do të bëjë me avancimet e dyshimta akademike – nëse titujt e dyshimtë do t’i revokojë ose jo. Por tha se do të merret me to.

Për këto dhe shumë detaje tjera rreth zhvillimeve në UP, ndiqeni intervistën me rektorin e ri të UP-së, Ramadan Zejnullahu, sonte në RTK 1, prej orës 20:05, menjëherë pas lajmeve qendrore.