Shqipëria e Kosova me Strehë të Përbashkët Konsullore në Milano

Ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë, Enver Hoxhaj e Ditmir Bushati, kanë udhëtuar për në Milano ku do ta inaugurojnë strehën e përbashkët për çështje konsullore të këtyre dy shteteve.

Dy ministrat janë takuar dje në Tiranë, prej nga kanë vazhduar rrugën drejt Italisë.

Pas këtij takimi, ministri Enver Hoxhaj theksoi se pjesa dërrmuese e zotimeve nga Partneritetit Strategjik i arritur në Prizren tashmë është implementuar, se marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyera dhe se janë shënuar të arritura konkrete në fushat e kulturës, arsimit, turizmit dhe energjetikës, por gjithashtu edhe në politikën e jashtme.

“Konkluduam njëzëri se pothuajse 90 për qind të zotimeve në politikën e jashtme dhe zotime të tjera të ngritura në mbledhjen e Prizrenit janë realizuar e që jam i lumtur që nesër (të martën) do të inaugurojmë konsullatën e përbashkët Kosovë-Shqipëri në Milano të Italisë”, tha Hoxhaj.

“Dikur ishte një ëndërr tani e kthyer në realitet që do të jetë në shërbim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve tanë si një praktikë e mirë për t’ua mundësuar të dyja vendeve tona një përfaqësim më të gjerë global, reduktimin e kostos financiare, si dhe në avancimin e raporteve tona ndërshtetërore në fushën e shërbimeve konsullore”, deklaroi Hoxhaj, duke shprehur bindjen se shumë shpejt do të vazhdohet me konsullata të përbashkëta në Canberra të Australisë dhe vende tjera.