Gjykata Kushtetuese Mbetet Pa Anëtarin Amerikan

Kjo gjykatë sot ka bërë të ditur se anëtari i saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Robert Carolan, nuk do të jetë më gjyqtar i kësaj gjykate.

Në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Carolan është tërhequr për arsye personale, ndërsa thotë se “Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë me punën e saj si deri më tani”.

Carolan është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2009, pas një karrierë si gjyqtar në Gjykatën Rajonale të shtetit Minesota në SHBA, ndërsa për gati dy vjet kishte punuar edhe si Gjyqtar Ndërkombëtar në Divizionin e Apelit të Dhomës për Krime të Luftës të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës.

Në vitet 2002 e 2003 ai shërbeu si gjykatës ndërkombëtar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në

Kosovë, dhe pastaj nga viti 2004 deri në vitin 2005 ka shërbyer si Kryesues i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës.

Emri i tij është përmendur shpesh së fundmi për shkak të opinionit mospajtues në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e ankesës së PDK-së për zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.

Carolan, në opinionin e tij, kishte shkruar se Gjykata Kushtetuese po abuzon me pushtetin që i është dhënë duke ndërhyrë në çështje të cilat mund të rregullohen me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Më 1 shtator, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u kishte zgjatur mandatin anëtarëve të saj ndërkombëtarë, por pa i precizuar emrat se për cilët anëtarë bëhet fjalë, as numrin e tyre.

Pas largimit të Carolan, Gjykata Kushtetuese ka mbetur me dy anëtarë ndërkombëtarë- Almiro Rodrigues nga Portugalia dhe Snezhana Botusharova nga Bullgaria.