Protesta Kundër Rektorit Zejnullahu

Pavarësisht këtyre kërkesave, rektori Zejnullahu, ka dalë për të biseduar me studentët protestues.

Ai ka kërkuar nga studentët protestues që ta formojnë një grup përfaqësues dhe të shkojnë në biseda me të.

“Unë nuk do të kërkoj që ju të largoheni prej këtu edhe pse ne bisedojmë”, tha Zejnullahu.

Por, studentët thanë se “as ne nuk do te largohemi prej këtu”.

Rektori më pas hyri brenda kurse protestuesit brohorisnin “o rektor ti ku je, baxhanakun ku e ke”.

Më pas përfaqësuesi i studentëve protestues, Rifat Krasniqi, ka thënë se nuk hyjnë në takim.

“Nuk hyjmë në takim me rektorin për të biseduar, pasi që nuk e njohim fare”, tha Krasniqi.

Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë raporton se protestuesit kanë lejuar Shefkije Islamajn, kryetaren e Këshillit Drejtues të UP-së, që hyjë brenda Rektoratit, më kusht që ajo t’i thërrasë anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, në mënyrë që në takimet e ardhshme të futet si pikë e rendit të ditës shkarkimi i rektorit Zejnullahu.

Gazeta e ka kontaktuar Shefkije Islamaj se a ka biseduar me anëtaret e Bordit lidhur me kërkesat e studentëve, por ajo ka thënë se është në një takim tjetër dhe se nuk mund të përgjigjet rreth kërkesave të studentëve.