Një i Vrarë Në Veri të Kosovës, Arrestohet i Dyshuari

Policia e Kosovës ka raportuar se ka konfiskuar dy armë dhe ka arrestuar tetë persona pas incidentit të mbrëmshëm që ndodhi në Leshak të Leposviqit, ku mbeti i vrarë një serb dhe u plagos një tjetër.

Sipas policisë, shtatë nga të arrestuarit janë meshkuj shtetas të Serbisë, një femër e arrestuar është serbe, shtetase e Kosovës.

Policia thotë se ngjarja ka ndodhur afër stacionit të autobusëve në Leshak, ndërsa në këtë ngjarje janë konfiskuar dy revole te kalibrit të panjohur.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

13:19

Mediet serbe raportojnë se M. Vuloviq është vrarë dhe vëllai i tij është plagosur rëndë nga të shtënat në kafeterinë “Tajm”.

Incidenti është konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve “Beta” nga shefi rajonal operativ i policisë për veriun e Kosovës, Zhelko Bojiq.

Ndërsa drejtori i Spitalit të Mitrovicës së Veriut, Millan Ivanoviq, tha për “Tanjug-un” se dy persona janë sjellë në spital, njëri nga ta pa shenja jete.

I riu që ka mbetur i vrarë thuhet se është goditur me armë zjarri në stomak, ndërsa vdekja ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së madhe. Ndërsa për të plagosurin, Ivanoviq tha se është duke marrë trajtim mjekësor dhe gjenda e tij është jashtë rrezikut për jetën.

Zhelko Bojiq tha se policia në mënyrë të shpejtë dhe efikase arrestoi të dyshuarin për vrasje dhe tentim-vrasje.

Ai tha se i dyshuari është arrestuar pak pas orës 23:00, ndërsa si pjesë e këtij operacioni janë arrestuar pesë persona.