Shumë Ankesa nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës të premten ka bërë të ditur se punëtorët e kësaj kategorie janë në gjendje të keqe sa i përket gjendjes materiale e sociale.

“Gjendja materiale dhe sociale e të punësuarve në mbarë Administratën Publike të Kosovës fatkeqësisht është me e keqja nga të gjitha kategoritë tjera të cilat financohen nga Buxheti i Kosovës siç janë arsimi, shëndetësia, policia, judikatura”, tha kryetari i SPAK-ut, Ndue Kalaj.

Ai tha se Qeveria e Kosovës që 15 vjet është duke hezituar që punëtorëve të administratës që janë larguar me dhunë nga puna t’ua paguajë stazhin e punës.

“Qeveria e Kosovës akoma heziton të na paguajë stazhin e punës, edhe pse e ka nxjerrë Ligjin mbi Pagat e Nëpunësve Civilë, Rregulloren mbi Pagat dhe Shtesat, me të cilat obligohen institucionet e shtetit tonë se nga janari i vitit 2014 të bëhet pagesa e përvojës së punës”, tha Kalaj.

I pari i SPAK-ut kërkoi që Ministria e Administratës Publike të Kosovës nga janari i vitit 2015 të bëjë alokimin e mjeteve për pagesë të përvojës së punës siç specifikohet në ligj.

Kalaj tha se institucionet e Kosovës duhet t’i shqyrtojnë të gjitha të padrejtat që u janë bërë punëtorëve të administratës, ose në të kundërtën do të veprojnë me të gjitha mjetet sindikale të lejuara me Konventën Ndërkombëtare të Punës dhe me ligjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Sindikata e Punëtorëve të Administratës së Kosovës u ankua edhe për anashkalimin që po u bëhet këtyre punëtorëve sa i përket mospagesës së transportit dhe shujtës, por edhe për mosimplementimin e kontratës kolektive.

“Kontrata kolektive nacionale nuk implementohet. Qeveria dhe partnerët socialë nënshkruajnë kontrata kolektive dhe nuk implementohen”, tha Kalaj.

SPAK-u kërkon që nëse mungon vullneti politik i institucioneve pasi obligimi ligjor në Kosovë nuk respektohet me këto kërkesa, të njoftohen edhe kryeministri i Kosovës, ministri i APK-së, ministri i Financave, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ministri i Pushtetit Lokal, Asociacioni i Komunave të Kosovës, si dhe kryetarët e komunave të Kosovës.