Shpaloset në Gjykatë Drama e Rrëmbimit të Vonesës

Vonesa Topalli tregoi se ditën kur ndodhi rrëmbimi i saj kishte dëgjuar nënën t’i thoshte dikujt “largohu, largohu”, ndërsa kur kishte dalë nga dhoma për të shikuar se më kë po zihej e ëma, ishte ndeshur në korridor të shtëpisë me ish-bashkëshortin-Ilir Kuqishtën, të akuzuarin kryesor të këtij procesi.

Dëshmitarja tha se Kuqishta i ishte afruar asaj, duke ia shtyrë të motrën për t’i thënë: “Vonesë hajde me mu”, por më pas e rrëmbyera dhunshëm ishte kthyer në dhomë duke refuzuar.

“Unë nuk desha të shkoj me Ilirin dhe jam kthyer e kam hyrë në sallon, Iliri ka ardhë pas meje, më ka kapë dhe më ka ngreh zhag, janë çu motrat, vëllai, këta më tërhiqnin në njërën anë, Iliri nën anën tjetër, janë kanë duke më shqyer “, tha ajo.

E dëmtuara më pas tregoi se nëna e saj ishte munduar që ta pengojë me sëpatë ish-dhëndrin për t’ia rrëmbyer vajzën.

“Unë i kam pa ata dy (Ilirin dhe nanën ) duke u shtyrë me sakicë, të dy e kanë pasur sakicën”, shtoi ajo.

E rrëmbyera pastaj tregoi se me fuqi fizike dhe të shtëna armësh, ish-burri i saj ia arriti qëllimin që ta afrojë pranë veturës.

“Më ka thënë hyp në veturë, unë nuk kam hypur, pastaj ka gjuajtur në drejtim timin, mua m’u ka dukur se më ka kaluar kah krahu dhe nga frika kam hypur në veturë”, tha ajo, teksa tregoi se e ëma përsëri me sëpatë është munduar ta ndalojë veturën.

“ Edhe një herë e kam parë nënën që ka ardhur me sëpatë dukë bërtitur lshoma çikën, lshoma çikën dhe pastaj Iliri e ka gjujt fluturimthi nanën me gjithë sëpatë për toke dhe pastaj dikush nga fëmijët e ka gjujt Ilirin me këpucë dhe e ka qëllu në fytyrë dhe pastaj Iliri ka bërë disa hapa në drejtim të oborrit dhe ka qëlluar në drejtim të fëmijëve”, tregoi ngjarjen dëshmitarja.

Përveç saj, të mërkurën dëshmuan edhe F.T. dhe K.T., vëllai dhe motra e të rrëmbyerës, dëshmitarë të ngjarjes. Edhe këta të dy dhanë version të ngjashëm të kësaj ndodhie.

I akuzuari ia drejtoi revolen në kokë të miturit

F.T., tregoi se në ditën kritike të 22 nëntorit të vitit të kaluar kishte qenë në shtëpi, ndërsa ishte munduar ta pengojë të akuzuarin për t’ia rrëmbyer motrën.

Sipas dëshmitarit Ilir Kuqishta ia kishte drejtuar atij revolen në kokë, ndërsa edhe kishte qëlluar me armë.

“Ai ka qëlluar në mur nga një largësi prej 2 deri ne 3 metra ku është bërë një vrimë dhe është bërë pluhun“, tha ai.

Pas F.T.-së dëshmoi K.T. e motra e tij dhe të rrëmbyerës. Ajo tregoi në detaje ngjarjen e 22 nëntorit. Tha se ka dëgjuar që nëna e saj po i thoshte dikujt: “largohu pis”, ndërsa kur kishte dalë jashtë kishte parë ish-dhëndrin.

“E kam pa Ilirin që dukej nervoz, nuk ka fol, por më ka shtyrë, unë nuk jam rrëzuar, ndërsa ai ka kapur Vonesën që ishte pas meje”, tha K.T.

Më pas ajo si motra e saj tregoi për përleshjen.

“Përleshja ka vazhduar ashtu disa çaste, ai duke e tërhequr Vonesën në një anë, ndërsa ne në anën tjetër”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja konfirmoi edhe se Kuqishta ia mbajti armën në kokë vëllait të saj.

“Vëllai F.T e kishte kapur për beli Vonesën duke u përpjekur ta ndalte, ndërsa i akuzuari Ilir Kuqishta, e kishte kapur F.T-në dhe ia kishte drejtuar armën në kokë. Vonesa atëherë ka thanë ‘po, po vi’ e Iliri e ka lëshuar F.T-në dhe e ka kapur Vonesën”, tha K.T.

Dëshmitarja iu përgjigj pozitivisht pyetjes së Bahtir Troshupës që mbron të dëmtuarit, se a ka rezistuar e rrëmbyera.

“Po gjatë tërë kohës Vonesa ka rezistu”, tha ajo.

Kjo dëshmitare tregoi se motra e saj kishte pasur martesë të lumtur dhe tash i akuzuari e kishte regjistruar një fakultet në Tetovë.

Por sipas saj marrëdhëniet mes çiftit kishin filluar të ftohen gjashtë muaj para ndarjes, pasi Kuqishta e kishte rrahur të rrëmbyerën.

Në këtë rast gjyqësor Ilir Kuqishta po gjykohet për tri vepra penale: tentim vrasje, rrëmbim, dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Jakup Ramadani, Samet Arifi, Afrim Arifi, për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Seanca është duke vazhduar edhe sot.