Prokuroria: Ndalimi i Veliut i Ndarë nga Rasti Pista

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës  Shpresa Bakia tha për Gazetën Jeta në Kosovë se Policia e Kosovës të enjten në mëngjes  ka ndaluar Mentor-Dërgutin-Veliun.

Mentor Dërguti-Veliu ishte intervistuar të mërkurën për rastin e vrasjes së Elvis Pistës, por sipas kryeprokurores ndalimi i tij nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast.

“Mentor  Dërguti- Veliu në rastin Pista ka qenë vetëm si dëshmitar, ndërsa rasti i ndalimit dhe bastisjes së shtëpisë së tij është rast i veçantë, i cili dyshohet për  vepra penale fajde, detyrim dhe lëndim të  rëndë trupor ndaj të miturit”, tha Bakia.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovë, Brahim Sadria, tha se në Rahovec është ndaluar një person me urdhër të Prokurorisë së Gjakovës, por ai nuk ka treguar emrin e tij dhe arsyet pse është ndaluar.

Kurse, përfaqësuesi ligjor  i familjes Pista, Arianit Koci, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk mund të komentojë asgjë për shkak të procedurës së hetimeve lidhur me vrasjen e të ndjerit Elvis Pista.