Pamje nga Gjakova

Peja e Painformuar për “Pavarësimin” e Gjakovës

Drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Shaban Shala, tha për KALLXO.com se nuk ka asgjë zyrtare për këtë çështje të cilën e bëri publike të martën kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.

“Nëse ka diçka të re, brenda këtyre dy ditëve e merr zyrtarisht përmes komunikatës zyrtare që do ta bëjmë publike. Është folë shumë, por pa letra unë nuk mundem të them asgjë. Nuk mund të flas me fjalë të korridoreve”, tha kolonel Shaban Shala.

Gjakovës i është hequr statusi i qendrës rajonale që nga viti 1989 duke u bartur nën përgjegjësinë e rajonit të Pejës.

Sipas kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, Gjakova do të pavarësohet nga Peja që nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Ajo ka thënë ta ketë marrë konfirmimin nga ministri i Punëve të brendshme, Bajram Rexhepi ndërsa pret që Gjakova, që nga vitit i ardhshëm, t’i ketë targat e veta të automjeteve me numrin 07.

Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, thotë se pavarësimi i Gjakovës nga rajoni i Pejës lehtëson punën e ruajtësve të rendit.

“Tash për ne gjithçka do të jetë më e lehtë, dhe natyrisht do të na ofrojë një siguri më të madhe në Komunën e Gjakovës”, tha Gjokaj.

Me marrjen e kësaj pavarësie nga Drejtora Rajonale e Policisë së Pejës, Gjokaj tha se do të shtohet numri i pjesëtarëve të policisë, si dhe shumë njësi tjera që do të veprojnë në kuadër të komunës së Gjakovës, do ta shtojnë sigurinë për qytetarët e Gjakovës.

Sipas të parit të policisë së Gjakovës, me marrjen e kësaj pavarësie, nën komunën e Gjakovës do të futen edhe komuna e Malishevës dhe ajo e Rahovecit të cilat janë brenda rajonit të Prizrenit.