Jacobson: Bashkësia Ndërkombëtare Pret T’i Çoni Gjërat Përpara

Jacobson deklaroi se bashkësia ndërkombëtare dhe ambasada amerikane presin që Kosova të ecë përpara.

“Kanë kaluar tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve dhe është interesim i madh i bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe i qytetarëve që t’i shohin deputetët duke i çuar gjërat përpara”, tha ajo.

Ambasadorja ishte në Mitrovicë për të prerë shiritin përurues të Shkollës Fillore “Musa Hoti”.

Ajo i porositi politikanët dhe deputetët se populli i ka zgjedhur për politika shtetërore, e jo partiake.

“Populli i Kosovës i ka zgjedhur ata… që të mos angazhohen për politika partiake dhe të njëanshme”, shtoi Jacobson.

Kosova që nga mbajtja e zgjedhjeve ndodhet në ngërç institucional, pasi qeveria dhe organet drejtuese të Kuvendit nuk janë zgjedhur, për shkak se subjektet politike nuk lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre.

Jacobson porositi se ka edhe punë tjera që Kosova duhet të kryejë.

“Për neve po ashtu është shumë me rëndësi vazhdimi i dialogut me Serbinë, integrimi evropian, miratimi i ligjit për luftëtarët në trevat e huaja, si dhe disa pika tjera, për të cilat ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet e reja sapo të themelohen”, përfundoi Jacobson.

Në përurimin e shkollës për të cilën Komanda Evropiane e Armatës së ShBA-ve dha një donacion prej 530 mijë dollarësh, krahas Jacobsonit morën pjesë edhe ministri i Arsimit Ramë Buja dhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

“Ne sot po e përurojmë këtë gëzim të përbashkët, mirëpo s’e di se e cila mijta pjesë e ndihmës amerikane që na i është bërë Kosovës [është kjo]”, theksoi ministri Buja.

Kryetari Bahtiri premtoi se edhe ai do të investojë këtu.

“Unë po e shoh së oborri i kësaj shkolle e posaçërisht poligoni sportiv ka nevojë për të investuar dhe unë këtë do ta bëj shumë shpejt”, tha Bahtiri.

Ceremonia e përurimit të shkollës përfundoi me program artistik të përgatitur nga nxënësit e saj.