11 Të Dyshuarve për Terrorizëm Tashmë u Është Zbutur Masa e Sigurisë

39 nga të arrestuarit kishin bërë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër caktimit të paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata e Apelit me datën 26 gusht 2014 ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke urdhëruar arrest shtëpiak për 6 nga 39 të paraburgosurit.

Atë ditë nga paraburgimi u liruan Berat Këpuska, Burim Konjuhi, Visar Kadriu, Besim Shabani, Agron Lika dhe Gazmend Haliti.

Gjykata e Apelit lirimin nga paraburgimi për 6 të dyshuarit për terrorizëm e arsyetoi me fjalët se të pandehurit janë shtetas të Kosovës dhe se atyre u dihet identiteti dhe vendbanimi dhe se janë persona familjarë.

“Nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë rrethanë konkrete e cila arsyeton dyshimin e bazuar se me gjetjen e të pandehurve në liri do të mund të ikin apo të arratisen, të ndikojnë në bashkëkryesit e tjerë apo në dëshmitarë”, tha Apeli.

13 ditë më pas, më 4 shtator, me kërkesë të prokurorit special, gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, i liroi nga paraburgimi edhe pesë të arrestuar tjerë të grupit prej 40 të dyshuarve për terrorizëm.

Sipas vendimit të Kashtanjevës, Hafiz Ahmeti, Besim Lajçi e Hadi Nura, tash e tutje në vend të masës së paraburgimit do ta kenë masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa Albert Berisha e Fitim Dema, do të mbrohen në liri, por do të kenë të obliguar paraqitjen në stacion policor.

Këto masa të reja sigurie për këta të pandehur do të vlejnë për dy muaj, deri më 4 nëntor 2014.

Katër ditë pas aksionit që prangosi 40 persona, më 15 gusht , u arrestuan edhe dy të tjerë, Naser Avdyli dhe Enes Beqiri, të lidhur me të njëjtin rast. Ndërsa më 22 gusht Gramoz Shabani u bë i 43-ti person i arrestuar i këtij grupi.

Këta të tre u paraburgosën për 30 ditë.

43 të arrestuarit në aksionin e 11 gushtit dhe ditëve në vijim, dyshohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes përçarëse, ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik dhe rekrutim për terrorizëm.