Pesë të Dyshuarve për Terrorizëm u Ndryshohet Masa e Sigurisë

Të enjten pasdite gjyqtari Vehbi Kashtanjeva ua zbuti masën e sigurisë pesë të pandehurve nga grupi prej dyzetë personash të arrestuar nën dyshimet për terrorizëm.

Propozimin për zbutjen e kësaj mase për pesë të dyshuarit e bëri prokurori special.

Sipas vendimit të Kashtanjevës, Hafiz Ahmeti, Besim Lajçi, Hadi Nura, tash e tutje në vend të masës së paraburgimit do ta kenë masën e arrestit shtëpiak.

Albert Berisha e Fitim Dema do të kenë të obliguar paraqitjen në stacion policor.

Këto masa të reja sigurie për këta të pandehur do të vlejnë për dy muaj, deri më 4 nëntor 2014.

Më 26 gusht, Gjykata e Apelit ndërroi masën e paraburgimit për gjashtë të akuzuar të këtij grupi.

40 të arrestuarit më 11 gusht dyshohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes përçarëse, ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik dhe rekrutim për terrorizëm.