“Peshqit e Mëdhenj” Prioritet i Prokurorisë

Në këto raste pritet që të jenë edhe “peshqit e mëdhenj” dhe kompanitë e fuqishme.

Sylë Hoxha, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit tha se rastet e përzgjedhura nga ekipi i themeluar për këtë qëllim do të trajtohen me prioritet nga të gjitha agjencitë që e zbatojnë ligjin.

“Nëse kemi qenë konkret, ne prej këtij momenti e kemi formuar këtë ekip që do t’i evidentojë këto 50 raste më të rënda dhe sigurisht se  në këto 50 raste do të jenë edhe peshqit e mëdhenj”, tha Blakaj.

E përveç zyrtarëve politikë në këto raste ka edhe kompani të fuqishme që janë duke u hetuar. Këtë e tha koordinatori kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike Shqipdon Fazliu.

“Tabela me 50 raste që do të bartet tash e tutje në një databazë e ku do të jetë i kyçur aty edhe personi I deleguar nga prokurori i shtetit. Ajo ka raste ku përfshihen edhe figura të njohura publike , edhe kompani të fuqishme”, tha Fazliu.

Sipas koordinatorit Fazliu ekipi i krijuar për hetime ka për qëllim që të sekuestrojë dhe konfiskojë pasurinë e krijuar paligjshëm jo vetëm me anë të krimeve ekonomike, por edhe të tjerave krime të rënda.

“Kjo nuk përfshin vetëm krime ekonomike, ne mund të kemi edhe vepra penale që ndërlidhen me drogë, trafikim të qenieve njerëzore. Mirëpo nëse aty vërtetohet se ka pasur edhe përfitim të kundërligjshme të pasurisë, Zyra e Koordinatorit Kombëtar do të involvohet edhe në ato raste”, pohoi Fazliu.

Ai garantoi barabarësi para ligjit për të gjithë të përfshirët në hetime.

“Të gjithë individët apo subjektet afariste do të trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit dhe nga ana e prokurorit të shtetit, pavarësisht fuqisë apo ndikimit politik, apo fuqisë financiare që mund të kenë”, theksoi Fazliu.

Formimi i ekipit për luftimin e krimeve të rënda bazohet në Planin Strategjik për Bashkëpunim Ndërinstitucional në Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Procedurave Standarde të Veprimit për Përzgjedhjen e Shënjestrave të Krimeve të Rënda.

Plani i hyrë në fuqi në nëntor të vitit të kaluar parashikon bashkëpunim ndërinstitucional mes Prokurorit të Shtetit dhe agjencive që zbatojnë ligjin në Kosovë.