LDK-AAK-NISMA Fton Flora Brovinën ta Thërrasë Seancën

Pas përfundimit të takimit të sotëm, liderët e bllokut paszgjedhor LDK-AAK-NISMA kanë paralajmëruar kryesuesen e kuvendit, Flora Brovina që ta thërrasë seancën e Kuvendit, përndryshe ata thonë se një gjë të tillë do ta bëjnë vet.

“Jemi në përgatitje të seancës së ardhshme, afërsisht po i nxjerrim detyrat meqenëse se ende nuk është thirrur seanca, njëra nga detyrat mund të jetë edhe thirrja e seancës në rast se ka vonesë. Në rast se seanca nuk thirret deri në fund të kësaj jave atëherë do të veprojmë”, tha Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nga grupi LDK-AAK-NISMA.

Por Flora Brovina, të cilës i ka rënë ta udheheqë seancën në bazë të moshës, nuk ka komentuar paralajmërimet e koalicionit paszgjedhor.

“Nuk e kam dëgjuar atë deklaratë zyrtarisht, por një përgjigje rreth kësaj do ta jap nesër. Sot nuk mund të flas për këtë çështje”, tha Flora Brovina për KALLXO.com.

Ndërsa Haradinaj thotë se thirrja e seancës është e drejtë e deputetëve.

“Thirrja e seancës është e drejtë e deputetëve. Ata kanë dhënë betimin dhe me 40 nënshkrime mund të thirret seanca”, tha ai.

Haradinaj ka mohuar se ndërkombëtarët po i bëjnë presion atyre që të bëjnë një marrëveshje me PDK-në për formimin e institucioneve.

“Nuk ka asnjë marrëveshje, të gjitha janë lansuar nga PDK edhe ideja e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve është e PDK-së dhe e qarqeve të tyre, e sponsorizuar prej tyre”, shtoi Haradinaj.

Edhe lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, e ftoi kryesuesen Flora Brovina që së shpejti ta thërrasë seancën e Kuvendit.

“Unë ftoj kryesuesen që ta zbatojë obligimin e saj kushtetuese dhe sa më shpejt të thërras seancën e Kuvendit për t’i hapur rrugë ndërtimit të institucioneve të vendit dhe njëkohësisht bëj apel që të gjithë aktorët të reflektojnë dhe të respektojnë normat e demokracisë, shumicën e votave, sepse vetëm shumica e votave është ajo e cila zgjedh institucionet, nuk janë vendimet”, tha Limaj.

Ai tha se koalicioni i respekton vendimet gjyqësore, por sipas tij, duhet zbatuar e vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese më 22 gusht ka marrë vendim ku ka shpallur jokushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të Kuvendit.