Farina: Incidenti në Kufi Punë e Policisë

Ai tha se incidenti në vijën kufitare Kosovë-Serbi më 28 gusht është çështje e policisë, ndërsa ai i një dite më pas në malet e Zveçanit nuk duhet të konsiderohet përplasje ndëretnike.

Në konferencën e përmbylljes së mandatit të tij si komandant i KFOR-it, gjenerali italian Salvatore Farina komentoi të hënën incidentin kufitar të 28 gushtit.

Para katër ditësh në zonën kufitare Kosovë-Serbi mes fshatrave Dumnicë e Poshtme dhe Përlepac pas një shkëmbimi zjarri mes prerësve ilegalë kosovarë të pyllit dhe forcave të sigurisë serbe, mbetën të vrarë një shqiptar i Kosovës dhe një xhandar serb.

Farina incidentin e konsideroi çështje të policisë.

“Kjo është një punë e policisë është një çështje e brendshme e sigurisë dhe këtë e adresoj në paralele me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe dua të shprehem që është duke bërë gjithçka në mënyrë që të parandalohet një gjë të tillë”, tha ai.

Farina tha fjalët e tij edhe për incidentin tjetër të 29 gushtit në fshatin Koshtovë të Mitrovicës ku u vra një njeri, ndërsa u plagosën dy të tjerë teksa po prisnin dru në pronën e tyre malore.

Komandanti i KFOR-it mohoi se personi që qëlloi në këtë rast ishte i uniformuar, ashtu siç deklaroi njëri nga të plagosurit.

“[Incidenti] është nën hetime dhe besohet që është një rast i izoluar, por unë përjashtoj mundësinë që çfarëdo serbi i uniformuar të ketë mundur të hyjë brenda kufirit të Kosovës, sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë në 15 vjetët e fundit”, tha Farina.

Forcat serbe që nga tërheqja prej Kosovës në qershorin e vitit 1999, pas Marrëveshjes së Kumanovës e kanë të ndaluar të hyjnë në këtë territor.

Gjenerali italian e konsideroi këtë rast më shumë privat, ndërsa apeloi që të mos i jepet karakter i përplasjes ndëretnike, pasi kjo është shumë e rrezikshme.

“Absolutisht nuk ka nevojë dhe nuk është e dobishme që të adresohet kjo si përplasje ndëretnike”, shtoi ai.

Farina foli edhe për arrestimet e 40 të dyshuarve për terrorizëm nga Policia e Kosovës më 11 gusht. E konsideroi këtë gjë shenjë të mirë për vendin.

Ky numër i arrestimeve është një shenjë shumë e mirë e të gjithëve. E para është dëshira e lidershipit, zonjës presidente, kryeministrit, ministrit të brendshëm, shefit të policisë. E dyta, mënyra shumë efektive që Policia e Kosovës e adresoi një plan të madh kompleks që arrestoi njerëzit e dyshuar”, tha Farina.

Farina shtoi se këto arrestime nuk e bëjnë Kosovën një vend terrorist, pasi sipas tij terrorizmi është një fenomen që ndodh edhe në vendet perëndimore.

“Le të themi që luftëtarët e jashtëm në Siri dhe ISIS dhe çdokund, nuk janë një fenomen vetëm në Kosovë, kjo është diçka që është prezente edhe në vende të tjera, le të themi edhe në shumë vende perëndimore”, tha Farina.

Italiani në krye të KFOR-it erdhi në gusht të vitit të kaluar, ndërsa detyrën e la me fjalë të mira për bashkëpunimin me institucionet kosovare.