Polaku Donald Tusk Emërohet President i Bashkimit Evropian

Tusk, i cili nuk e flet mirë anglishten dhe nuk di fare frengjisht, është i pari nga evro-lindorët që merr një post kaq të lartë në BE dhe njihet si kritik i madh i Kremlinit, sidomos kur bëhet fjalë për krizën në Ukrainë.

Por ai tha se deri në momentin kur do ta marrë detyrën, do të punojë që ta përmirësojë anglishten.

“Bllokada kaloi, lidershipi i ri i BE-së është kompletuar”, tha Presidenti në largim i BE-së, Van Rompuy duke shpallur emërimet e reja në postet kryesore të BE-së.

Më herët, ministrja italiane e punëve të jashtme, Federica Mogherini, është emëruar kryediplomate e BE-së në vend të britanikes Catherine Ashton.

Van Rompuy tha se ekipi i ri u do të përballet me tri sfida të mëdha: stagnimi i ekonomisë në Evropë, kriza e Ukrainës të cilën ai e quajti si “kërcëniminn më të madh ndaj sigurisë kontinentale që nga Lufta e Ftohtë”, dhe vendi i Britanisë së Madhe në BE.

“Unë vij në Bruksel nga një shtet i cili thellësisht beson në rëndësinë e Evropës”, tha djathtisti i qendrës Tusk në një konferencë për shtyp pas emërimit.

Tusk do ta marrë detyrën më 1 dhjetor ndërsa Mogherini, nëse konfirmohet nga Parlamenti Evropian, do ta fillojë punën më 1 nëntor.

Tusk në garën për President të BE-së ka pasur mbështetjen e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.