Samiti i NATO-së Ka Frikë nga Sulmet e ISIS-it

Shtimi i masave të sigurisë për këtë Samit po bëhet edhe nga frika e sulmeve terroriste nga grupi terrorist ISIS.

Ish-ministri i jashtëm Britanik Kim Howell, paralajmëron se terroristët e ISIS-it në Britani mund të ketë planifikuar sulme në Samitin e 2014-ës.

“Samiti mund të jetë një objektiv, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Kjo është arsyeja që masat e sigurisë  janë kaq intensive”, tha ai.

“Me Samitin e NATO-së që do të mbahet këtu, pritshmëria dhe kujdesi ndaj sulmeve terroriste duhet të ngritet, për këtë arsye të gjitha këto masa të posaçme po merren”, shtoi ai.

Më shumë se 150 krerë shtetesh dhe ministra përfshirë edhe Presidenti amerikan Barak Obama do të marrin pjesë në samitin dy-ditor.

Liderët, gjithashtu pritet të kenë edhe rreth 10,000 persona staf mbështetës, ndërsa 2,000 gazetarë pritet gjithashtu të marrin pjesë.

Masat e sigurisë për Samitin e NATO-së, që është grumbullimi më i madh i liderëve botëror, janë në zbatim në tri javët e fundit.

Në ndërkohë, publikut po i bëhet thirrje që në qendrën e qytetit të Cardiff-it të udhëtojnë me transport publik për të shmangur vonesat dhe kaosin.

Kufizimet pritet të ashpërsohen edhe më tej më 4 shtator, kur e gjithë zona do të jetë e mbyllur nga shërbyesit e sigurisë.

Për sigurinë e Samitit do të kujdesen 9,500 oficerë të policisë nga të gjitha 43 forcat policore në Angli, Uells, Skoci, Irlandë të Veriut, dhe Ishujve Channel.

Ministria e Policisë dhe Mbrojtjes Britanike do të jetë në detyrë, gjithashtu dhe shtatë anije luftarake të NATO-së do të jenë në ose rreth Cardiff -it.

Përpos kësaj, policia thotë se ata duhet të jenë të gatshëm për t’u marrë edhe me demonstratat kundër Samitit, e para prej të cilave pritet të mbahet të shtunën.

Dy grupe protestuese  kanë organizuar një sërë protestash.

Kostoja e përgjithshme këtyre masave të sigurisë do të jetë rreth 50 milion funta.

(Ky artikull bazohet në raportimet e mediave britanike)