Vetëvendosje: Vendim i Kushtetueses është Anti Kushtetues

Pas përfundimit të takimit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se në këtë takim kanë diskutuar lidhur me  vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për seancën e ardhshme të Kuvendit, e cila do të mbahet javën e ardhshme.

Ai tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese ka qenë vendim antikushtetues dhe paraqet një puç institucional të Gjykatës Kushtetuese, qe e bëri karshi rendit të Republikës në Kosovë dhe karshi autonomisë së institucioneve të rëndësishme, siç është kuvendi si organi më i lartë i vendit.

“Gjykata kushtetuese po e konfirmon edhe njëherë sa thellë dhe sa gjerë horizontalisht është kapur shteti i Kosovës dhe sa i rëndësishme është angazhimi për të luftuar kapjen që i është bërë shtetit të Kosovës”, tha Ymeri.

Kurse, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se  vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i papritur.

“Është vendim i Gjykatës Kushtetuese, por është vendim që nuk e kemi pritur, është një vendim i cili nuk ofron zgjidhje demokratike të këtij problemi”, tha Mustafa.

Ai shpreson që Gjykata Kushtetuese prapë do të gjejë një rrugëzgjidhje sepse këtë rrugë është vështirë për të gjetur deputetet e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç është thënë në pikat 127 dhe në pikën 126.

“Rrugën duhet ta gjej gjykata Kushtetuese se si duhet të dilet nga kjo situatë”, shtoi Mustafa.

Sa i përket mbajtjes së seancës konstituive, Mustafa tha se ne do të qëndrojmë në sallë dhe do të votojmë sipas bindjes sonë.

“Unë mendoj që vota do të tregoj se kush ka drejt në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

I pyetur se cilët janë deputetët e LDK-së të cilët do të votojnë kandidatin e PDK-së, Mustafa tha se nuk është asnjë deputet që do të votojë për PDK-në.

Kurse, Visar Ymeri tha se në asnjë mënyrë nuk do të votojnë për kandidatin për kryetar të Kuvendit të propozuar nga PDK-ja.

“Në as nuk do të votojmë kandidatin e PDK-së që mund të paraqesin në seancë dhe as nuk do t’i bëjmë kuorum PDK-së dhe në asnjë mënyrë nuk do të jemi pjesë e ndonjë negocimi apo bashkëpunimi me PDK-në për krijimin e Qeverisë”, tha Ymeri.

Sa i përket marrëveshjes eventual në mes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe bllokut për formimin e qeverisë, Ymeri tha se blloku ka marrë kohë shtesë për të na kthyer përgjigjen lidhur me kërkesat e Vetëvendosjes.

“Blloku ka marrë edhe pak kohë që të na kthej përgjigjën nëse kriteret parimet që Lëvizja Vetëvendosje me herët i ka diskutuar dhe i ka paraqitur më shkrim janë të pranueshëm që do të haptë rrugë pastaj krijimit të përbashkët të qeverisë”, tha Ymeri.

Ymeri shtoi se në rast së blloku nuk i pranon parimet e përcaktuar nga Vetëvendosja deputetët e këtij subjekti politik nuk do të votojnë as për kandidatin e propozuar për kryetar të kuvendit nga ana e bllokut.