Ish-Polici Dëshmon Kundër Kolegëve në Rastin e Shpërthimit te Sekiraqa

Besnik Hasani është dëshmitar i prokurorisë, në rastin e gjykimit të shtatë  policëve të njësive të ndryshme speciale, për shpërthimin në lokalin Sekiraqa në vitin 2007.

Në seancën e mbajtur të martën Hasani tha se sipas informatave që grupi i policëve i kishin, urdhri dhe vrasësi i policit Triumf Riza kishte dalur nga lokali i Sekiraqës.

Gjyqtarja i njoftoi palët se Enver Sekiraqa, i dëmtuar në këtë rast ka hequr dorë që të jetë prezent në gjykatë, pasi që gjykata nuk ia ka plotësuar kërkesën për ta sjellë atë  nga burgu i Dubravës me limuzinë.

Hasani tregoi mbi takimet e ndryshme të grupit të policëve për planifikimin e djegies së lokalit të Sekiraqës.

“(Nysret) Cena më tha se nuk është mire me djegë, por me qu në ajër”, tha Hasani.

Hasani shtoi se veturat dhe armët e gjata e kanë pasur për detyrë t’i sigurojnë Bekim Suma dhe Luan Qerkini, ndërsa takimin sipas tij e kishin lënë te ferma e deleve të Hasanit.

“Nysreti ka fillu me punu me bombë, unë e kam veshur uniformën e policisë ROSU, e Bejta i ka mbulu targat e veturës por jo edhe 93-shin”, tha Hasani.

Hasani tregoi se ishin nisur me dy vetura të policisë dhe në fshatin Babush kishin parë policinë e trafikut.

“Policia ka dal me na ndalë dhe ne i kemi lëshuar dritat vezulluese dhe kemi vazhduar rrugën me shpjetësi në drejtim të Prishtinës”.

Hasani tha se në veturën e tij ishte Luani Qerkini, Bekim Suma dhe Fadil Sadiku, ndërsa në veturën tjetër Shpend Qerimi, Bejtullah Mehmeti, Mehmet Mehmeti dhe Arbëresh Dalipi.

Dëshmitari i prokurorisë tregoi se udhëtimi i tyre kishte vazhduar te spitali, për tu futur te rrethi kah hotel ”Baci”, kah PTK-ja, te tuneli, nëpër bulevardin ”Bill Klinton” e deri te parkingu i lokalit të Sekiraqës.

“Aty vetëm kemi vëzhgu, pastaj jemi larguar në drejtim  të Mitrovicës dhe jemi kthyer përsëri”, tha Hasani.

Hasani shtoi se në parking kishin zbritur nga veturat, kishin drejtuar veturat kah dalja në mënyrë që të dalin më shpejtë dhe ishin nisur në drejtim të lokalit Sekiraqa.

“Përveç Luan Qerimit i cili ka qëndru te veturat, të gjithë jemi nisur në drejtim të lokalit”, tha Hasani.

Me përfundimin e orarit zyrtarë të punë, gjyqtarja këtu e ndërpreu gjykimin për të vazhduar të mërkurën në ora 09:30.

Gjatë gjithë dëshmisë së ish pjesëtarit të njësisë speciale FIT, të akuzuarit tjerë tundnin kokën në shenjë mohimi.

Përveç tjerash gjatë dëshmisë së dhënë të martën, Hasani tregoi se si në vitin 2006 e kishin arrestuar Enver Sekiraqën lidhur me një kanosje, dhe që nga atëherë kishin pasur fërkime.

“Enver Sekiraqa ka qenë një kriminel”, tha Hasani.

Hasani foli edhe për rastin e SËISS Kazinos, ku siç tha ai kishte pasur një përleshje në mes grupit të Sekiraqës dhe disa policëve.

“Aty ishte Triumf Riza me Adelina Ismajlin dhe Arben Selmani me gruan e tij. Janë gjuajt me armë dhe aty është plagos një polic dhe një pjesëtar i grupit të Sekiraqës”, tha Hasani.

Sipas dëshmitarit Hasani, pas vrasjes së policit Riza të gjithë policët ishin të angazhuar qoftë zyrtarisht, qoftë privatisht për të siguruar informata rreth vrasësve.

Ai tha se problemi mes Sekiraqës dhe të ndjerit Riza, kishte ndodhur, kur ky i fundit gjatë patrullimit kishte ndaluar Enver Sekiraqën.

“Sepse me ndalu Enver Sekiraqën i është duke diçka e madhe ati zotniut (E.S)”, tha Hasani.

Sipas tij për shkak të problemave me Sekiraqën, Triumf Rizës i është dashur të shpërngulet në fshatin Stagovë, ku poashtu sipas dëshmitarit nuk ishte lënë i qetë.