Kushtetuesja Vendosi por Nuk Qartësoi

E ardhmja politike e Kosovës mbetet e paqartë që nga përfundimi i zgjedhjeve të 8 qershorit, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar seancën konstitutive të 17 korrikut në të cilën Isa Mustafa u zgjodh kryetar i kuvendit.

Ky vendim i ka hapur rrugë Partisë Demokratike të Kosovës që të nominojë kryetarin e kuvendit në seancën e radhës.

Por, PDK e Hashim Thaçit duket se nuk i ka numrat dhe pa ndonjë procedurë të qartë të zgjedhjes së kryetarit, Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja.

Më 17 korrik, Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese vendosi të anulojë vendimin e kuvendit. Vendimi vjen pasi që dy blloqet politike kryesore prezantuan javën e kaluar argumentet se cila nga to ka të drejtën që të nominojë një kandidat për kryetar të kuvendit.

PDK kontestoi vendimin e kuvendit sepse sipas tyre, ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, dhe rrjedhimisht është grupi parlamentar më i madh në kuvend me 37 ulëse.

Në anën tjetër, blloku i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe NISMA për Kosovën, pretendojnë se kanë pasur të drejtë ta nominojnë Mustafën meqë së bashku kanë 47 deputetë në kuvend.

Kur po bëhen tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme, zgjedhja e kryetarit të kuvendit është e domosdoshme për të vazhduar më pastaj me zgjedhjen e qeverisë së Kosovës.

Sipas vendimit të kushtetueses, “grupi parlamentar…mund të regjistrohet si i tillë vetëm pas konstituimit  të kuvendit dhe pas zgjedhjes së kryesisë së re të tij”.

Në anën tjetër, teksti i plotë i vendimit të gjykatës nuk sqaron shumë se si duhet të procedojë kuvendi në rast se PDK nuk i ka 61 votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e kuvendit.  Gjykata i lë hapësirë kuvendit që të gjejë një zgjidhje në këtë rast.

“Realisht, ky vendim e sqaron që nuk ka zgjedhje të reja menjëherë, sepse lihet kohë për negociatë mes partive për të vendosur bashkërisht për një kryetar konsensual të kuvendit,” thotë analisti politik Leon Malazogu.

As kushtetuta e Kosovës nuk specifikon procedurat në rast se grupi më i madh parlamentar dështon që të arrijë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e kuvendit.

Por, deri sa ky vendim shkon në favor të PDK, mbetet e paqartë nëse kjo parti i ka numrat në kuvend.

Leon Malazogu thotë se në rast se partitë e bllokut nuk pranojnë të votojnë kandidatin e PDK-së, dhe në anën tjetër PDK nuk i arrin votat e mjaftueshme, atëherë vendi shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Deri më tani, partitë e bllokut e kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë të votojnë një kandidat nga radhët e PDK-së për postin që ata ia kanë ndarë Isa Mustafës në marrëveshjen e tyre për koalicion.