LAN: Posti i Kryekuvendarit na Takon Neve

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të Kuvendit, përfaqësuesit e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma, thonë se atyre u takon të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit, pasi që sipas tyre ata janë grupi më i madh parlamentar.

Gjykata Kushtetuese, të premten ka marrë vendim që zgjedhja e Isa Mustafës, kryetar i Kuvendit ishte jo kushtetuese, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që e propozoj Kryetarin e Kuvendit.

Në bazë të këtij vendimi, seanca e Kuvendit duhet të përsëritet dhe grupi parlamentar i PDK-së do të propozoj kandidatin për krye kuvendarin.

Këshilltari politik i kryeministrit Thaçi, Ardian Arifaj, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se PDK-ja është në kontakte me partitë e tjera në mënyrë që vendi të kaloj nga kriza.

“ PDK-ja është në kontakt vazhdimisht për të gjetur rrugëdalje edhe për krye kuvendarin, edhe për qeverinë. Kontaktet nuk i ka ndalur asnjëherë dhe është e hapur për bashkëpunim dhe bashkëpunues”, shtoi Arifaj.

Nga ana tjetër, vet kryeministri Thaçi në një postim në Facebook, ka publikuar se ka takuar grupin politik pas zgjedhor 6+, për të biseduar për hapat e mëtutjeshëm për ndërtimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

“U dakorduam që të punojmë bashkërisht si partnerë të koalicionit aktual për tejkalimin e ngërçit politik dhe institucional. T’i bashkojmë forcat për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë së re ku grupi politik ”6+” do të ketë vendin meritor”, ka postuar Thaçi në Facebook.

Por, përfaqësuesit e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma thonë se si grupi më i madh parlamentar, atyre u takon që të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe në asnjë mënyrë nuk do të votojnë ndonjë kandidat të propozuar nga PDK-ja.

“Ne besojmë shumë në verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, në tërësinë e saj që të gjendet hapësira ku i mundësohet bllokut që të ketë kandidatin e vet për kryetar”, tha Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën.

Ai shtoi se në asnjë mënyrë nuk do ta votojmë kandidatin e propozuar nga PDK-ja dhe sipas tij  vendi në asnjë mënyrë nuk do të shkoj në zgjedhje.

Edhe Ernest Luma, zëdhënësi i AAK-së, tha se blloku LDK-AAK-Nisma e ka të drejtën për të pasur kryetarin e Kuvendit, pasi që siç tha ai ky bllok e ka shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se në partinë  e saj kanë vendosur që të mos komentojnë vendimin e Kushtetueses derisa nuk publikohet vendimi në tërësi. 

Por, sipas saj, në asnjë mënyrë nuk do të votohet ndonjë kandidat i propozuar nga PDK-ja.

“Këtë gjë e kemi bërë të qartë disa herë. Nuk do ta votojmë kandidatin nga PDK-ja”, shtoi Osmani.

Pas vendimit të Kushtetueses, pritet që presidentja Jahjaga, të thërras një seancë tjetër parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës.