Gjykata Kushtetuese Rrëzoi Isa Mustafën

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në ankesën e vet për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas PDK-së, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është “akt i vendosjes së kushtetushmerisë në vend” dhe si një “tregues i fuqishëm se vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, është suprem dhe i patjetërsueshëm”.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë këtë vendim meritor, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Kjo parti thotë se edhe në mandatin e ardhshëm, fryma e bashkëpunimit dhe e qasjes gjithëpërfshirëse në proceset madhore për vendin “do të jenë bosht i angazhimit dhe filozofisë politike të PDK-së”.

Tri partitë e bllokut që e propozuan Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit, kanë thënë se janë të bindur që vendimi përfundimtar do t’u japë atyre të drejtën që ta propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Koalicioni LDK-AAK-NISMA e ka marrë në konsideratë njoftimin për media nga Gjykata Kushtetuese dhe është në pritje të publikimit të tekstit përfundimtar”, thuhet ën reagimin e koalicionit LDK-AAK-NISMA.

“Blloku është i bindur që e drejta për kandidim i është njohur koalicionit dhe në këtë mënyrë është hapë dera e vetme për krijim të institucioneve të reja”, thuhet në reagimin e këtij koalicioni pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Eksperti i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, tha për KALLXO.com se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i pritshëm dhe duhet të zbatohet, ndërsa pret pasoja politike për koalicionin LDK-AAK-NISMA.

“Ka qenë e pritshme, është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka opsion tjetër përveç se të zbatohet”, tha Baraliu për KALLXO.com, pak minuta pasi Gjykata Kushtetuese publikoi një pjesë të vendimit në ankesën e PDK-së për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 17 korrik.

Mustafa është nominuar për kryetar të Kuvendit si pjesë e marrëveshjes mes partisë së tij, LDK, me AAK-në dhe NISMA-n. Me këtë marrëveshje, i kandiduar për kryeministër është Ramush Haradinaj i AAK-së.

Por Mazllum Baraliu nuk beson se marrëveshja mund të jetësohet pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese.

“E tërë përpjekja e koalicionit LDK-AAK-NISMA ka shkuar huq. Ata duhet të nisen nga fillimi”, tha ai.

Tani, sipas Baraliut, do të varet nga fuqia politikee PDK-së, nëse do të mund ta zgjedhë një kryetar të Kuvendit dhe një kryeministër nga radhët e veta.

Një ditë pasi ka dëgjuar palët në kontest përmes një seance dëgjimore publike, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pranueshme kërkesën e PDK-së dhe “me shumicë votash” ka konstatuar se në seancën e Kuvendit ka pasur shkelje të rregullave dhe procedurave.

“Mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstitutive, më 17 korrik 2014, nga Kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit, kanë shkelur nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas këtij institucioni, votimi për kryetar të Kuvendit ka qenë “jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit dhe,  rrjedhimisht, është i pavlefshëm”.

“Seanca konstituive e Kuvendit, që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë Aktgjykim”, thuhet në vendim.