Kadri Kryeziu Përjashtohet nga Rastet e Mëdha të Gjykatës Kushtetuese

Arsye për këtë vendim u bë një fotografi në të cilën Kryeziu shihet duke marrë pjesë në një tubim parazgjedhor të PDK-së në Prizren.

Në një komunikatë dërguar mediave, Gjykata Kushtetuese tha sot se Komisioni i gjyqtarëve, i formuar me vendim të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ka dorëzuar raportin përfundimtar me të gjeturat përkitazi me pretendimet e ngritura ndaj gjyqtarit Kadri Kryeziu.

Edhe Kadri Kryeziu kishte prezantuar rastin e tij para Gjykatës ku kishte pranuar se “ka pasur gjykim të gabuar të situatës në të cilën është gjetur ai”.

“Në përputhje me propozimin e vetë gjyqtarit Kryeziu dhe me raportin e Komisionit të gjyqtarëve, Gjykata vendosi që publikisht të qortojë gjyqtarin Kryeziu për këtë shkelje dhe ta përjashtojë atë nga pjesëmarrja si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në çdo rast tjetër që mund të ketë kontekst politik, e ku, ndër të tjera, si palë para Gjykatës mund të paraqiten: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Avokati i Popullit dhe komunat”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.