Mori 500 Euro Ryshfet, Dënohet 6 Muaj Burg

Trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Afrim Shala ka shqiptuar dënimin, pasi që i njëjti kishte pranuar fajësinë, sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe ishte penduar thellë për kryerjen e kësaj vepre penale.

Gjykata ka gjetur se i akuzuari B. Vokshi ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit pasi në shkurt të vitit 2012, në fshatin Hogosht të Kamenicës, në pozitën e personit zyrtar – teknik i pylltarisë në Drejtorin për Bujqësi në Kamenicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete.

Në korrik të vitit 2012, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për arrestimin e Bajram Vokshit të cili i ishin zënë edhe 500 eurot e marra ryshfet.

Gjykatësi Shala tha se i akuzuari, me dashje mori ryshfet për ta kryer në kuadër të autorizimeve të tij, një veprim zyrtar të cilin, sipas tij, i akuzuari nuk duhej ta kryente.

Në vendim, gjykatësi tha se i akuzuari kishte kërkuar 500 Euro nga i dëmtuari A. K. që t’ia rregullonte dokumentacionin dhe të bëjë damkosjen e 100 metra kub dru, në malin i cili nuk ishte në pronësi të dëmtuarit, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Dënimin prej gjashtë muajsh, gjykata ia shqiptoi Vokshit në bazë të kërkesës së prokurorisë.