Kriza Institucionale e Mjegullon të Ardhmen e Dialogut

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, të mërkurën në një prononcim për Agjencinë e lajmeve serbe B92, ka thënë se Beogradi është në gjendje për të vazhduar bisedimet në Bruksel, por sipas tij problemi është tek shqiptarët të cilët ende nuk  kanë arritur për të  krijuar institucionet pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Unë jam çdo herë gati për të shkuar në Bruksel, ne jemi të përkushtuar për të vazhduar dialogun me shqiptarët, me të cilët ne nuk kemi as një problem. Problemi i vetëm është se ata nuk kanë qeveri”, ka thënë Vuçiq.

Sipas analistëve në Kosovë, deklarata e kryeministrit Vuçiq vjen si pasojë e ngërçit politik në vend.

“Serbia çdo minus që e gjen në Kosovë, mundohet për ta shfrytëzuar atë si alternativë, demek që Kosova nuk është në gjendje për t’i zgjedhur institucionet e veta dhe për të vazhduar dialogun”, tha Besa Luzha, nga Friedrich Ebert Stiftung.

Ajo shtoi se duhet bërë institucionet sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që vendi ta kalojë këtë krizë.

Edhe Albert Krasniqi nga Instituti KIPRED, tha se mos konstituimi i institucioneve nga ana e palës kosovare do të krijojë pasoja në procesin e bisedimeve në Bruksel.

“Zvarritja në konstituimin e institucioneve të vendit normalisht që do të ketë pasoja të shumta dhe efektet e saj ne mund t’i vërejmë tek me vonë dhe një prej tyre pasojave është edhe dialogu i filluar me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Kosova në këtë fazë nuk është e gatshme për dialog, prandaj “do të ishte e dëmshme që kjo qeveri të vazhdonte këtë proces”.

Por, sipas Krasniqit para se të fillojnë bisedimet nevojitet një formatizim i dialogut.

“Ky riformatizim është i nevojshëm sepse forma e cila është vazhduar deri më tani nuk ka sjellë sukseset e pritura dhe ka pasur ngecje nga të dyja palët, por sidomos nga pala serbe”, tha ai.

Sipas tij, një riformatim të dialogut kanë kërkuar pala kosovare e ajo serbe, por edhe Gjermania.

Edhe Besa Luzha thotë se formatizimi i dialogut më Serbinë është më së i nevojshëm.

“Unë mendoj që çfarëdo ndryshimi që të bëhet në proces të dialogut është i mirë nëse respektohen çfarë ka kërkuar opozita dhe shoqëria civile”, tha Luzha.

 Ajo tha se në riformatizim duhet të vendosen jo vetëm kërkesat, por edhe pikat e kuqe të cilat nuk mund të negociohen.

“Gjatë të procesit të bisedimeve neve na ka munguar ajo se çka mund të diskutohet dhe çka jo, nuk kemi pasur vizion”, shtoi Luzha.

Nga ana tjetër një konferencë ndërqeveritare në mes së Beogradit dhe Brukselit, pritet të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm, ku do të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Por, sipas gazetës serbe Novosti, Gjermania insiston në disa parakushte për Serbinë para së të fillojnë negociatat, siç është zbatimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Brukselit si dhe miratimi i një Marrëveshjes tjetër kornizë ndërmjet Serbisë e Kosovës që tashmë quhet Brukseli 2.