Kërkesa Për Shtrenjtim të Rrymës Shqetëson Kosovarët

Ky autoritet thotë se rritja e çmimit të energjisë është si masë për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi në termocentralin Kosova A që ndodhi më 6 qershor.

“Një ndër arsyet më të rëndësishme për këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor është të ofrojë siguri të furnizimit me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, për të parandaluar rreziqet e mundshme të reduktimeve,” thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

Por, ngritja e çmimit për 5 për qind po shihet si e padrejtë dhe e dëmshme për ekonominë e Kosovës.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, tha për BIRN se një vendim i tillë nuk është i drejtë pasi që qytetarët po e pësojnë për shkak të keqmenaxhimit të dy operatorëve.

“Zyra e Rregullatorit është dashur t’i ketë parasysh edhe këto situata në kohën kur ka miratuar vëllimin shpenzimeve që do të kenë këta dy operatorë,” ka thënë ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë është një organ i pavarur i krijuar nga Kuvendi i Kosovës që rregullon tregun e energjisë.

Janë dy operatorë të cilët merren me prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), ka ekskluzivitetin e furnizimit me energji elektrike dhe shpërndarjes së saj.

Shpërndarja dhe furnizimi ishte privatizuar nga kjo kompani në vitin 2013, kur përfundimisht u nda nga Korporata Energjetike e Kosovës e cila merret me prodhimin e energjisë.

Në qershor të këtij viti, një shpërthim i madh ndodhi në termocentralin Kosova A, ku dy persona humbën jetën, disa të tjerë u lënduar, ndërsa u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Rexhepi po ashtu shprehu shqetësimin e tij për ndikimin e rritjes së çmimit në ekonominë e Kosovës.

“Pa dyshim se goditja do të jetë e madhe, jo vetëm për faktin se energjia do të jetë 5 për qind më e shtrenjtë, por se çmimi i energjisë elektrike ndikon edhe në koston e produkteve të tjera.  Ose mund te ndikojë edhe në mbylljen e bizneseve, qe nënkupton edhe shuarjen e vendeve te punës,” thotë ai.

Në anën tjetër, Yll Rugova, një nga organizatorët e protestës qytetare të vitit të kaluar për çmimin e lartë të energjisë, thotë se në rrjetin social Facebook ka biseda në rritje rreth organizimit të një proteste të mundshme për të kundërshtuar ngritjen e çmimit.

“Une jam i bindun që rritja e çmimit kish me qene gabim tepër i madh sepse çmimi edhe ashtu është shumë i lartë kur shikohet në proporcion me pagën mesatare,” thotë ai. “Trazira të rënda jam i bindur që do të jenë të paevitueshme,” ka shtuar Rugova.

Gjatë ditës së sotme, Yll Rugova ka bërë thirrje përmes rrjetit social Facebook që qytetarët t’i shkruajnë ZRRrE-së për ankesat e tyre kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Në vitin 2013, qindra persona janë mbledhur për të protestuar kundër çmimit të lartë të energjise elektrike.