Rritje e Çmimeve të Konsumit Gjatë Korrikut

Sipas kësaj agjencie, ngritje të çmimeve të konsumit janë vërejtur te rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 3,1%.

Në indeksin e çmimeve për muajin korrik thuhet se rryma elektrike është shtrenjtuar për 4.57% ndërsa me TVSh shtrenjtimi arrin 5.3%. Çmimi i pemëve është ngritur për 2 %, ndërsa përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për 0,6% me një ndikim të përbashkët prej 0,4% në Indeksin e Çmimeve të Konsumit.

Por ASK thotë se kjo ngritje është neutralizuar kryesisht nga rënia e çmimeve të perimeve për -5,4% me një ndikim prej -0,3% në indeks.

“Indeksi i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 0,8% në muajin korrik 2014 krahasuar me muajin korrik 2013. Ngritje e Indeksit të Çmimeve të Konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: mishi 2,7%, qumështi, djathi dhe vezët 1,2%, duhani 7,2%, veshja 2,9%, këpucët 4,7%, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 6,8%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas raportit, buka dhe drithërat pësuan rënie në indeksin e çmimeve prej -1,8%, vajrat dhe yndyrat ranë për -9,4%, sheqeri dhe ëmbëlsirat për -4,8%, dhe përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për -1,3% , me një ndikim të përbashkët prej -0,5% në indeksin e çmimeve të konsumit.