Imami Arrestohet si i Dyshuar për Terrorizëm

Sipas një komunikate të policisë të lëshuar të enjten, në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar edhe dy persona të dyshuar për terrorizëm.

Njëri prej tyre është imam në një xhami të Gjilanit. Policia ka dhënë vetëm inicialet e të arrestuarve, por raportimet e mediave thonë se bëhet fjalë për Zekerija Qazimin, imamin kontrovers nga Gjilani, i përmendur shumë kohëve të fundit të jetë i përfshirë në nxitjen e të rinjve që të rekrutohen për të shkuar në luftë në Siri dhe Irak.

“Ky operacion policor ka rezultuar  me arrestimin e dy (2) personave të dyshuar (Z. Q, viti i lindjes 1980, imam në xhaminë El-Kuddus në Gjilan, që dyshohet të jetë një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit  dhe i dyshuari tjetër  L. K, viti i lindjes 1987, nga fshati  Polac, Skenderaj”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Forcat e rendit njoftojnë se edhe kanë kryer bastisje në këto dy komuna.

Rasti sipas policisë lidhet me arrestimet e kryera në Kaçanik nga fundi i qershorit kur u kapën si të dyshuar për të njëjtat vepra penale në fillim Ilir Berisha, Sedat Topojani dhe Jetmir Kyçyku, e më vonë edhe Burim Ballazhi.

Këtyre personave prokuroria ua zbuloi komunikimin me Lavdrim Muhaxherin, më të njohurin e kosovarëve që luftojnë në Siri.

Të arrestuarit dyshohen për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, si rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Policia njofton se i arrestuari Z. Q. “nuk ka qenë në shtëpinë e tij, por i njëjti është gjetur i fshehur në veturën e tij në një terren malor”, ndërsa i dyshuari i dytë është kapur aty ku jeton.

Gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve, janë sekuestruar edhe dëshmi materiale që ndërlidhen me veprat e lartcekura penale.

Personave të arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale iu është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.