Vriten Dy Persona në Gjakovë

Dy persona janë vrarë në fshatin Marmull të Komunës së Gjakovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Rastin e rëndë e konfirmoi për KALLXO.com komandanti i Stacionit Policor të kësaj komune, Kristë Gjoka.

“Janë dy viktima të gjinisë mashkullore. Policia është njoftuar në orët e hershme të mëngjesit dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes”, tha Gjoka.

Ai nuk dha detaje tjera me arsyetimin se ngjarja e rëndë është duke u hetuar. Kreu i policisë gjakovare nuk zbuloi as motivet e vrasjes.

Pasditen e së mërkurës policia ka lëshuar një komunikatë për medie ku sqaron se janë vrarë “shtetasit shqiptarë të Kosovës Hil H., 45 vjeç dhe P. H. (1999), vdekjen e të cilëve e ka konfirmuar edhe mjeku përgjegjës në vendngjarje.

Të dy vrarët sipas policisë janë nga fshati Marmull i Gjakovës.

“Në vendngjarje policia ka gjetur dy makina njëra e tipit Crysler me targa regjistrimi të jashtme ku kishin qenë viktimat dhe një veturë e braktisur me targa regjistrimi vendore ku dyshohet se kanë qenë kryesit e veprës”, thuhet në komunikatë.

Organet e rendit kanë gjetur edhe një pistoletë, ndërsa janë angazhuar për kapjen e kryesit të mundshëm të vrasjes së dyfishtë.

Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Qendrën e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.