Armëpushimi 3 Ditësh Zgjati Vetëm 90 Minuta

Armëpushimi 72 orësh i shpallur nga Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ishte përpjekja më ambicioze deri më tani për t’i dhënë fund tri javëve të luftimeve dhe erdhi pas ngritjes së alarmit ndërkombëtar për numrin gjithnjë e në rritje të palestinezëve të vrarë.

Armëpushimi pritej të përcillej me negociata izraelito- palestineze në Kajro për gjetjen e një zgjidhjeje më afatgjatë.

Zyrtarët e Egjiptit kanë thënë se ftesa vlen ende, por disa përfaqësues palestinezë kanë kërkuar për shtyrjen e takimit deri të shtunën apo të dielën për të mundësuar arritjen e një armëpushimi të ri.

Ushtria izraelite tha se kur ishin bërë 90 minuta nga hyrja në fuqi e armëpushimit- përderisa familjet palestineze që ishin larguar nga lagjet e tyre filluan të ktheheshin nëpër shtëpi- militantët palestinezë sulmuan ushtarët në kërkim të tuneleve infiltrues në jug të Rripit të Gazës.

“Nga një ose më shumë vrima të tuneleve, terroristët dolën jashtë. Së paku një prej tyre ishte terrorist vetëvrasës i cili detonoi veten. Ka pasur shkëmbim zjarri”, tha koloneli Peter Lerner, zëdhënës i ushtrisë. Dy nga ushtarët janë vrarë.

“Indikacionet fillestare janë që një ushtar është rrëmbyer nga terroristët gjatë incidentit”, tha Lerner.

I pyetur nëse armëpushimi ka marrë fund, Lerner tha: “Po. Ne po vazhdojmë aktivitetet tona në terren”.

Lerner u shpreh se forcat izraelite kanë ngritur forcën në përpjekje për ta lokalizuar vendndodhjen e ushtarit të rrëmbyer.