Kërcënohen Gazetarët e “Bota Sot”

Pas disa shkrimeve që kishin publikuar në gazetën “Bota Sot” rreth disa vrasjeve të ndodhura pas luftës, kryeredaktori Idriz Morina dhe gazetari i kësaj gazete Nexhat Shaqiri janë kërcënuar nga një person që ata kishin përmendur në shkrim.

“Fillimisht ka thirrë në telefon dhe na ka kërcënu, pastaj ai ka qenë edhe në zyre, ku ka kërkuar t’i qërojmë hesapet”, tregon kryeredaktori i Idriz Morina, njëri ndër të kërcënuarit.

Morina tregon se për kërcënimin i ka lajmëruar edhe Asociacionin e Gazetarëve përmes një e-maili, që u ka shkruar atyre para dy ditësh.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka dënuar rastin, përmes një komunikate që e ka lëshuar për media.

“AGK e dënon ashpër çdo përpjekje të kujtdo që me konfrontim fizik, shantazh apo kërcënim, mendon se mund ta ndalë raportimin profesional të gazetarëve dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që ta hetojë sa më shpejt këtë rast, me të cilin përveç pengimit të punës së gazetarit, fyhet dhe poshtërohet liria e shprehjes në vend, duke e rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vetë jetën e gazetarëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga AGK-ja.

Por Morina thotë se rastin nuk e ka lajmëruar edhe në polici.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës thotë se nuk ka hapur rast ndaj këtij kërcënimi, pasi që ai nuk është raportuar nga ana e gazetarëve.