Dënohet Bombardimi i Shkollës nga Forcat Izraelite

Sipas dëshmitarëve, të paktën pesë predha goditën një shkollë palestineze që ishte nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara dhe shërbente si strehë refugjatësh.

Të paktën 17 persona humbën jetën si pasojë e sulmit e shumë të tjerë u plagosen.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, reagoi duke e quajtur sulmin “skandaloz” dhe “të pajustifikuar”

“Nuk ka asgjë më të turpshme se sa të sulmosh fëmijë të fjetur”, tha Ban Ki Moon

Ai bëri thirrje që të ndalet dhuna e mëtutjeshme. “Në emër të humanizmit, dhuna duhet të ndalet”, tha Ban.

John Ging, drejtor i operacioneve humanitare të OKB-së, tha se ky ishte sulmi i gjashtë i ngjashëm në objekte nën mbikëqyrjen e OKB-së në Gaza që nga shpërthimi i luftimeve më 8 korrik.

Ky sulm u cilësua si i papranueshëm edhe nga SHBA-të.

Në atë që paraqet dënimin më të fortë dhe më të qartë të veprimeve të Izraelit nga fillimi i konfliktit në Gaza, sekretari i shtypit i presidentit Barak Obama të enjten e quajti sulmin “krejtësisht të papranueshëm” dhe “krejtësisht të pambrojtshëm”.

Ai gjithashtu tha se administrata e presidentit Obama është duke i bërë thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për të shmangur humbjet e jetëve të civilëve.

“Është e qartë se ne kemi nevojë që  aleatët tanë në Izrael të bëjnë më shumë për të qëndruar në standardet e larta që ata vetë kanë vendosur”, thuhet në reagim.

“Ne dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin mbi shkollën në Gaza dhe na duket e papranueshme që civilët e pafajshëm të zhvendosur të cilët ishin duke u strehuar në zonat e caktuara të OKB-së janë vrarë dhe ne besojmë se këto incidente duhet të hetohen  menjëherë”, tha zëdhënësja e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Peter Lerner, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, këmbënguli se asnjë objekt i OKB-së nuk ishte vënë në shënjestër me vetëdije.

Zyrtarët e OKB-së zbuluan se forcat izraelite ishin paralajmëruar për koordinatat e shkollës 17 herë, duke përfshirë edhe të martën në mbrëmje, me shpresë që streha e OKB-së do të kursehej.

Gjatë një vizite që u bëri ushtarëve të plagosur, ish-presidenti i Izraelit Shimon Peres u tha gazetarëve se “Izraeli ka shteruar opsionin ushtarak” dhe se tani duhet të merret me seriozitet gjetja  e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.

Ky sulm erdhi dhe reagimet e ashpra ndaj këtij sulmi ndodhën në një kohë kruciale kur të gjitha palët po mundoheshin të arrijnë një marrëveshje për armëpushim i cili është arritur dje me një kohëzgjatje 72 orëshe duke filluar nga mëngjesi i sotëm.

Artikulli bazohet në raportimet e mediave ndërkombëtare.