Mbi 100 Mijë Njerëz Mbështesin Peticionin për Gratë e Dhunuara

Peticionin në mbështetje të grave të dhunuara gjatës luftës së fundit në Kosovë e kanë nënshkruar 115 mijë e 759 banorë.

Përmes këtij peticioni, Kosova synon  t’i kërkojë Kombeve të Bashkuara një raport të detajuar faktik mbi dhunimet seksuale të grave që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Peticionin shpresojmë ta dërgojmë në shtator tek Ban Ki-Moon, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara-duhet t’i përshtatemi agjendës së sekretarit”, tha kryesuesja e bordit, Tahiri.

Peticioni është nënshkruar në të gjithë qendrat e Kosovës, përveç atyre  me shumicë serbe.

“Kjo është çështje tjetër, do ta rregullojmë”, tha Edita Tahiri kur u pyet nga gazetarët për këtë.

Në shkurt të këtij viti, i Dërguari Special për Dhunën Seksuale gjatë luftës lansoi një raport që mbulon 21 shtete në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë Jugore dhe Lindje të Mesme, por Kosova nuk ishte përfshirë në të.

Afër 15 pas luftës në Kosovë, ende nuk ka një numër të saktë të grave dhe vajzave të dhunuara apo të keqtrajtuara seksualisht gjatë luftës.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë shifra zyrtare për numrin e të vrarëve, të plagosurve apo të të pagjeturve gjatë luftës.

Por, Tahiri thotë se “megjithatë kurrë nuk është vonë për të nisur ky proces”.

“Gjatë kohës sa kemi punuar në peticion, kemi pasur gra që janë deklaruar që kanë qenë të dhunuara dhe ato shumë i kanë ndihmuar të gjithë këtij procesi”, tha Tahiri.

Ajo bëri të ditur se me procesin e identifikimit të të dhunuarave, do të nisin, pasi ta kenë raportin e gjendjes faktike nga Kombet e Bashkuara. Ajo i ftoi edhe gratë tjera që të mos hezitojnë të flasin rreth kësaj çështjeje.

Nënshkrimi i peticionit në mbështetje të grave të dhunuara kishte nisur më 14 korrik dhe ka zgjatur deri më 18 korrik.

Expertët e kanë kritikuar për nismë për shkak të mungesës së përfshirjes së viktimave të gjinisë mashkullore dhe viktimave eventuale nga komunitetet pakicë në Kosovë.