Lëvizja Fol: OShP-ja Refuzon Shqyrtimin e 255 Ankesave

Sipas Lëvizjes “Fol” refuzimi i anëtarëve të rinj të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që të shqyrtojnë rreth 255 ankesa të deponuara gjatë periudhës kur ky institucion ka qenë jofunksional është tejet shqetësues.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ku mund të ankohen subjektet afariste lidhur me parregullsi në tenderët publikë nuk funksionoi nga gushti i vitit të kaluar e deri në mars 2014, kur në Kuvendin e Kosovës u miratuan anëtarët e rinj të bordit të këtij institucioni.

Gjatë tetë muajve në atë që njihet si gjykata e tenderëve u grumbulluan 255 ankesa të subjekteve afariste, por bordi i ri vendosi të mos i shqyrtojë këto ankesa, me arsyetimin se atyre u ka kaluar afati.

Në një konferencë për media të hënën “Lëvizja Fol” teksa publikoi një raport të prokurimit për muajt mars-qershor 2014, e konsideroi shqetësues vendimin e bordit të ri të OShP-së për mosshqyrtimin e ankesave të mbledhura.

“Nxjerrja e një konkluzioni nga ana e bordit të ri me datë 27 mars 2014, përmes të cilit ka refuzuar që të shqyrtojë rreth 255 ankesa të deponuara gjatë periudhës kur OShP-ja ka qenë jo-funksionale, është  tejet shqetësuese”, tha Sibel Halimi nga “FOL-i”.

Ajo problemet e shfaqura të prokurimit i lidhi edhe me mosfunksionimin e OShP-së.

“Mosfunksionimi i OShP-së për shkak se anëtarët e bordit të cilëve iu kishte përfunduar mandati, nuk janë zëvendësuar me anëtarë të rinj për një periudhë tetëmuajshe, Lëvizja FOL ka vlerësuar se ka dhënë mundësi për keqmenaxhim, keqpërdorim dhe korrupsion në prokurim publik”, shtoi Halimi.

Por “FOL-i” përshëndeti megjithatë rifunksionalizimin e Bordit të OShP-së. Në periudhën mars-qershor sipas kësaj organizate gjykata e tenderëve ka marrë 28 vendime për institucionet shtetërore që kanë shkelur me tenderë Ligjin e Prokurimit Publik.

OShP-ja ka anuluar dy tenderë, 8 i ka kthyer në ritenderim, 17 në rivlerësim. Gjykata e tenderëve ka dënuar me gjobë dhe ia ka marrë certifikatën zyrtares kryesore të prokurimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Tenderët e anuluar janë iniciuar nga KEK-u dhe Komuna e Rahovecit, ata të ritenderuar nga Ministria e Shëndetësisë, e Diasporës, e Punëve të Brendshme, e Drejtësisë, e Infrastrukturës, e Financave, KEK-u dhe PTK-ja.

Komunave të Deçanit, Ferizajt, Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit u janë kthyer në rivlerësim nga 2 tenderë, ndërsa nga një Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, komunave të Malishevës, Kamenicës, Gjakovës dhe Postës e Telekomit të Kosovës.

Edhe Kallxo.com-i ka shkruar për shkeljet në fushën e prokurimit të zbuluara nëpër komunat e Kosovës nga Auditori Gjeneral. Edicioni i sotëm i emisionit “Jeta në Kosovë”, u kushtohet pikërisht shkeljeve në prokurim.