Familja Ankohet në OKB për Rastin e Vëllezërve Bytyqi

Avokatët e të afërmve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të cilët ishin vrarë në Serbi në vitin 1999, kanë paraqitur një ankesë në OKB-së, duke kërkuar “bindjen e Serbisë me obligimin e saj ndërkombëtar për të hetuar dhe ndjekur ata të cilët janë përgjegjës për zhdukjen dhe vrasjen e vëllezërve”.

“Ky është një hap drejt sigurimit të drejtësisë për familjen Bytyqi dhe ngritjes së vëmendjes ndërkombëtare për një vend (Serbinë) e cila është rrugës së saj drejt futjes në Bashkimin Evropian”, ka thënë Silvia Palomba nga këshillimi ligjor Destinacioni Drejtësi, e cila e ka paraqitur ankesën.

Vëllezërit Bytyqi, qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare, iu bashkuan një dege vullnetarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të quajtur Batalioni Atlantiku e cila ishte aktive gjatë konfliktit me forcat e Beogradit në vitin 1999.

Së bashku me pjesëtarët tjerë të Brigadave të Atlantikut, të cilat kryesisht erdhën nga SHBA-ja, vëllezërit shkuan në Kosovë për të luftuar kundër Serbisë. Sipas vëllait të tyre, Fatos Bytyqi, pas marrëveshjes së paqes së korrikut 1999 e cila i dha fund luftës së Kosovës, ata u pajtuan që të përcjellin disa fqinj romë në Serbi.

Por kur ata humbën rrugën përgjatë një vije të pashënuar kufitare afër Merdarës, ata u arrestuan nga policia serbe për hyrje të paligjshme në atë që në atë kohë ishte Jugosllavi.

Pas kryerjes së dënimeve të tyre, ata u arrestuan sërish, u dërguan në qendrën e trajnimit të policisë në Petrovo Sello dhe u mbajtën në një depo aty.

Gjatë mbrëmjes së 9 korrikut 1999, ata u lidhën me tela nga sulmues të panjohur dhe u dërguan me makinë deri tek një gropë për hedhjen e mbeturinave, ku u ekzekutuan me të shtëna në pjesën e prapme të qafës.

Mbetjet e tyre u zhvarrosën në qershor të vitit 2001 nga një varrezë masive në Petrovo Selo.

Prokuroria serbe për krime të luftës ka akuzuar dy policë, Sreten Popoviqin dhe Millosh Stojanoviqin, për gjoja transportimin e vëllezërve nga Prokupla deri në Petrovo Selo. Në vitin 2012, që të dy këta meshkuj u liruan.

Gjatë gjykimit, Stojanoviq dhe Popoviq pohuan se ata kishin marrë urdhër t’i dërgojnë vëllezërit nga Petrovo Selo nga Vllastimir Gjorgjeviqi, i cili atë kohë ishte ndihmës i ministrit të punëve të brendshme të Serbisë.

Në janar të këtij viti, Tribunali i Hagës dënoi Gjorgjeviqin me 18 vjet burg për krime të luftës në Kosovë.

Hetimi fillestar për vrasjen e vëllezërve u përqendrua në tre njerëz: Gjorgjeviqin, Vllajko Stojilkoviqin, një ish-ministër i punëve të brendshme i cili vrau vetën në vitin 2002 dhe Goran Radosavleviqin, i njohur si ‘Guri’, ish komandant i njësisë speciale të policisë dhe i qendrës së trajnimeve të Petrovo Selos.

Radosavleviq tani është i pensionuar, por mbetet aktiv në politikë si anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresive e cila udhëheq në Serbi.

Ai është marrë në pyetje në lidhje me vdekjet e vëllezërve Bytyqi, por një akuzë ndaj tij nuk është ngritur. Ai ka mohuar çfarëdo përfshirje në këtë krim.

Fatos Bytyqi ka thënë të mërkurën se ai beson që ata të cilët janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tij ende jetojnë në Serbi. Vitin e kaluar ai takoi kryeministrin e tanishëm Aleksandar Vuçiq, udhëheqësin e Partisë Progresive, dhe tha se i ishte premtuar përparim në këtë rast.

“Për 15 vjet rresht, kryeministri Vuçiq, zëvendëskryeministri [Ivica] Daçiq dhe pararendësit e tyre personalisht më kanë premtuar mua dhe familjes time se do ta zgjidhnin rastin. Megjithatë, Goran Radosavleviq mbetet i lirë dhe i mbrojtur nga përgjegjësia, përderisa familja ime mbetet në gjendje të zisë së pafund. Nuk kemi drejtësi”, ka thënë ai.

Serbisë i është bërë presion disa herë nga SHBA-ja që të gjejë autorët e krimit, më së fundi në prill të vitit të kaluar nga Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Punë të Jashtme.