Williamson Paralajmëron Aktakuzë Ndaj Krerëve të ish UÇK-së

Kryeprokurori i kësaj task- force, Clint Williamson tha sot në një konferencë për shtyp në Bruksel se gjetjet e ekipit të tij janë kryesisht në përputhje me ato që shkruanin në raportin e KE-së të hartuar nga raportuesi zviceran Dick Marty.

“Ne besojmë se dëshmitë janë bindëse që këto krime nuk ishin akte të individëve mashtrues që punonin krye në vete, por ishin të kryera në një mënyrë të organizuar dhe të sanksionuara nga disa zyrtarë në nivelin më të lartë të UÇK-së”, tha Willimanson duke prezantuar gjetjet e procesit hetimor.

Prokurori amerikan i cili në fund të gushtit do të largohet nga kjo detyrë pas përfundimit të mandatit trevjeçar tha se pret që aktakuzat të ngriten atëherë kur të themelohet gjykata e cila, sipas tij, do të garantonte një gjykim të pavarur, të paanshëm, transparent dhe të sigurt.

Por hetimi i drejtuar nga Williamson nuk ka mundur ta vërtetojë akuzën për “qindra raste të trafikimit të organeve”.

Pavarësisht se u shpreh se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për ndonjë aktakuzë eventuale lidhur me akuzën për trafikim organesh, ai tha se nuk e përjashton mundësinë që një e tillë të ngritet në të ardhmen.

Ai ka thënë se akuzat të cilat i ka hetuar kjo task- forcë, nuk ak qenë e mundur të bëhen nga Tribunali i Hagës për shkak të kohës së kryerjes së këtyre krimeve.

“Gjykata e Hagës nuk ka  mundur t’i hetojë krimet pas përfundimit të konfliktit, pavarësisht kërkesës së ish kryeprokurores Carla del Ponte. Gjykata e Hagës nuk ka pasur juridiksion për t’I hetuar rastet të kohës së pas largimit të forcave serbe nga Kosova”, tha Williamson.

“Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar, por duhet të ndryshohen disa ligje specifike nga Kuvendi i ri i Kosovës i dalë pas zgjedhjeve të fundit”, u shpreh ai.