Lansohet Doracaku Kundër Dhunës në Familje

Gaby Hagmuller, udhëheqëse e Ekipit për Zhvillim Social në Zyrën e Bashkimit Evropian tha se me statistikat e marra nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2012 në Kosovë gjatë atij viti kanë ndodhur  1.081 raste të dhunës në familje ndërsa shumica e viktimave nga këto raste kanë qenë femra.

Ajo tha se raste të tilla prekin njerëzit nga mbarë bota, dhe ato ndodhin në familje, pikërisht në vendin ku pritet të ofrohet mbështetja për  gratë.

“Dhuna në familje është një veprim i pa justifikueshëm “ u shpreh Hagmuller.

Sipas saj, Kosova me gjithë këto raste prapëseprapë ka arritur përparim në këtë drejtim. Ajo thotë se tanimë ekziston një program i Qeverisë për dhunën në familje duke krijuar kështu planin e veprimit me një koordinator vendor . Ky plan i veprimit duhet të jetë në gatishmëri për të ndihmuar edhe organizatat për riintegrimin e viktimave .

“Përmes këtij projektit për riintegrimin e viktimave të dhuës në familje, gratë italiane dhe gratë kosovare janë bashkuar për të luftuar një dukuri që është prezente në shoqërinë kosovare,dhunën e burrave ndaj grave”, tha  menaxherja e projektit “Revive”, Danila Zizi.

“Revive është një projekt i cili është krijuar duke u bazuar mbi rolin e grave dhe rëndësinë fenomenit të dhunës në baza gjinore në Kosovë”, u shpreh Zizi.

“Dhuna është një fenomen, ndërsa shoqëria duhet të përballet me të dhe ta luftojë”, tha ajo.

Leonora Selmani, Shefe e Divizionit për Legjislacion në Agjencionin për Barazi Gjinore në Kosovë, tha se dhuna në familje është munduar të zhduket si fenomen por prapë ajo ekziston.

Madje, sipas saj, në bazë të shifrave ky fenomen është në rritje.

Selmani tha problem më i madh në Kosovë është riintegrimi i viktimave.

“Besoj që problem më i  madh është riintegrimi i viktimave. Do të mundohemi të gjejmë mundësi që t’i riintegrojmë këto gra”, u shpreh Selmani.

Në këtë prezantim u shfaqën edhe disa fotografi të cilat tregonin ambientet në të cilat strehohen femrat të cilat ishin pre e dhunës në familje në Kosovë.