Qeveria “Qeras” Sekretarët e Ministrive dhe Kryeshefat e Agjencive

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, është kujdesur që para përfundimit të mandatit të tij të dytë, t’ua vazhdojë mandatin edhe për tre vjet 9 sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe 5 kryeshefave të agjencive të ndryshme.

Kontratat u janë vazhduar Arben Çitakut nga Ministria e Mjedisit, Xhavit Dakajt, nga Ministria e Arsimit, Shkëlzen Sylajt nga Ministria e Forcës së Sigurisë, Veton Ferizit,  nga Ministria e Kulturës, Eljana Nakës nga Ministria e Tregtisë, Naim Baftiut nga Ministria e Financave, Naim Zenelajt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Fitim Sadikut nga Ministria e Administratës Publike dhe Kapllan Halimit nga Ministria e Bujqësisë.

Kontrata për tre vjetët e ardhshëm do të kenë edheValdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdrin Lluka, kryeshef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve, Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, Hafiz Gara, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë për Standardizim, dhe Ramë  Manaj, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Qeveria gjatë kësaj mbledhjeje mori vendim edhe për aprovimin e mjeteve financiare në shumën prej 960 mijë e 250 eurove për kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndarja e këtyre mjeteve financiare u bë për t’u dalë në ndihmë në rregullimin e protezave dhe shërimin për invalidët e luftës, dhe rehabilitimin e anëtarëve të Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Aprovimin e Qeverisë e ka marrë edhe raporti vjetor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar edhe Raportin Gjithëpërfshirës mbi Zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për  Reformën e Administratës Publike për vitin 2010 – 2013.

Me këtë vendim është përcaktuar funksionimi institucional i strukturave përgjegjëse për të siguruar, koordinuar dhe monitoruar zbatimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike dhe Planit të Veprimit.

Kabineti qeveritar po ashtu ka marrë vendim për të hapur konkursin për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.

Në mbledhjen e sotme, është ndarë shuma prej 1 milion eurosh për fëmijët e prekur nga leukemia dhe sëmundje të ngjashme, me qëllim të mbulimit të kostos së shërimit të tyre.

Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili njoftoi kabinetin për krijimin e grupeve punuese nga kjo ministri, pas avarisë së ndodhur në termocentralin Kosova A.

Shpërthimi në këtë termocentral më 6 qershor shkaktoi vdekjen e dy punëtorëve, ndërsa zvogëloi sasinë e energjisë elektrike të prodhuar në vend.

“Deri në javën e ardhshme sigurisht që do të vijmë me një skenar të mundshëm, dhe do t’i propozohet Qeverisë se çfarë mund të bëjmë nga secili segment për ta zbutur këtë mungesë të energjisë elektrike”, pohoi ministri Ismaili.

Por kryeministri në largim, u kujdes që t’i ftojë të gjithë për durim dhe mirëkuptim në institucionet e Kosovës, gati dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

“Mendoj se është një proces normal, një proces transparent, i përgjegjshëm, në suazat e zhvillimit të demokracisë”, tha kryeministri në largim Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë.