48 Orë Ndalim Për Fadil Vokrrin

Prokurori dhe Policia e Kosovës e konfirmuan rastin.

“Po me vendim të prokurorit i është caktuar ndalimi për 48 orë Fadil Vokrrit”, tha për KALLXO.com Ymer Beka kryeprokuror i Prokurorisë së Prishtinës.

Beka shtoi se Vokrri ende nuk është marrë në pyetje nga ana e prokurorit dhe as nuk është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit.

Ndërsa Agron Borovci nga Policia e Kosovës dha më shumë detaje pa përmendur emra.

“Me datë 11 korrik, rreth orës 21:00 në rrugën “Fehmi Agani” është shkaktuar një aksident komunikacioni, ku vetura pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Borovci.

Sipas Borovcit pas hetimeve nga ana e policisë është identifikuar vetura dhe pronari i saj dhe më 17 korrik është arrestuar personi me inicialet F.V.

Borovci tha se F.V dyshohet për dy vepra penale-aksident komunikacioni dhe ikje nga vendi i ngjarjes.

“Si pasojë e këtij aksidenti dy persona kanë pësuar lëndime”, tregoi Borovci.