Avokati: Ukë Rugova Lirohet Nga Paraburgimi

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që Ukë Rugovës t’ia zëvendësojë masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Po sot është liruar Ukë Rugova. Gjykata e ka refuzuar kërkesën e prokurorit për vazhdimin e paraburgimit dhe e ka zëvendësuar me një masë më të butë sigurie-arrest shtëpiak. Kjo masë do të zgjasë deri më 4 shtator 2014”, tha Nexhat Shabani, avokati i Ukë Rugovës.

Gjykata e Apelit më 20 qershor ndërpreu masën e paraburgimit për Rugovën, por ai ende pa u liruar u riarrestua nga EULEX-i , ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës një ditë më pas ia caktoi atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

EULEX-i riarrestimin e Ukë Rugovës e arsyetoi me atë se ai mund t’i frikësojë dëshmitarët dhe t’i ikë juridiksionit, ndërsa Shabani riarrestimin e pati quajtur non-sens juridik.

Ukë Rugova dyshohet për krim të organizuar, ushtrim ndikimi dhe mashtrim.