Kërcënohet me Jetë Drejtori i Inspeksionit në Vushtrri

Sipas drejtorit Saraçi, ngjarja ka ndodhur të enjten në zyrën e tij të punës.

Ai tha se e ka paraqitur rastin edhe në polici.

“Sot në zyrën time ka ardhur Agron Hyseni së bashku me dy persona tjerë, mirëpo unë kam kërkuar nga dy personat e tjerë të presin jashtë. Pas hezitimit të njërit, të dytë kanë pritur jashtë. Agoni, më ka kërcënuar me jetë”, ka thënë Saraçi për KALLXO.com.

Sipas Saraçit, më 2 korrik të këtij viti , inspektorët e ndërtimit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ia kanë ndërprerë punën Agron Hysenit në një ndërtim.

Ai kishte reaguar duke i penguar ata në kryerje të detyrës, me ç’rast ndaj tij është ngritur procedurë për pengim të personave zyrtarë në kryerje të detyrës zyrtare.

“Me datë 14.07.2014 Drejtoria për Inspeksion ka marrë vendim për rrënimin e këtij objekti të ndërtuar pa leje, ku të njëjtin i është dorëzuar vendimi. Ai sot me vendim erdhi në zyrën time dhe më kërcënoi me vrasje”, ka thënë Saraçi, duke treguar se rastin e ka paraqitur në polici.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, në një prononcim për KALLXO.com ka konfirmuar rastin si kërcënim.

“Një person është marrë në pyetje në stacionin e policisë në Vushtrrisë, dhe është liruar në procedurë të rregullt. Organet e rendit janë duke u  marrë më dëshmitarë të tjerë e që do të vijnë deri të vërtetësia e këtij kërcënimi ndaj drejtorit në fjalë”, ka thënë Zahiti.

Por drejtori Saraçi është ndarë i pakënaqur me lirimin e Hysenit pas marrjes në pyetje.

“Nuk e di si është e mundur që njeriu që më ka kërcënuar më jetë, është liruar në procedure të rregullt”, tha ai.