Drejtori i Arsimit Bën Baxhanakun Drejtor Shkolle

Shkolla Profesionale si quhet institucioni i ri arsimor i Suharekës që pritet të nisë punën në shtator, tashmë e ka ushtrues detyre të drejtorit një njeri që ka lidhje familjare nga gruaja me drejtorin e Arsimit të kësaj komune.

Sherif Berisha që udhëheq Drejtorinë Komunale të Arsimit ka bërë drejtor shkolle Reshit Makicën të cilin e ka baxhanak. Makica do ta ushtrojë detyrën e drejtorit për tre muaj.

Berisha thotë se nuk e zgjodhi Makicën, ngase e ka baxhanak, por për cilësitë e tij menaxhuese.

“Nuk ka të bëjë kjo me baxhanak, është një njeri që ka punuar edhe me herët, një njeri që e njeh menaxhimin. Jemi të gjithë mes veti të lidhur njëri me tjetrin, nuk mund të shikojmë a është baxhanak apo kushëri, s’mund t’i lajmë anash kushërinjtë apo baxhanakët, për vetë faktin që jemi vend shumë i vogël”, arsyetohet drejtori i Arsimit.

Por opozita suharekase kundërshton këtë zgjedhje.

“Sipas mendimit tim nuk ka pas drejtë, sepse duhet me qenë nën moshën 50 vjeçare dhe është i lidhur miqësisht me drejtorin e Arsimit Sherif Berisha…me drejtorin e Arsimit është baxhanak”, thotë Bali Muharremaj që drejton AAK-në e Suharekës.

Ngjashëm shprehet edhe Ramë Vataj, drejtuesi i PDK-së në këtë komunë.

Kjo mënyrë e zgjedhjes është e kundërligjshme, pasi së pari është dashur të kalohet nëpër fazën e konkursit, e pastaj të caktohet u.d nëse dështon konkursi”, thotë Vataj.

Këtë që thotë Vataj e parashikon neni 2, paragrafi 2 i Udhëzimit Administrativ 08/2014 për zgjedhjen e drejtorit të një institucioni edukativo-arsimor, kur flet për ushtruesit e detyrës.

“Zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese në Republikën e Kosovës bëhet nëpërmjet konkursit publik të shpallur në njërën nga gazetat ditore, ndërsa mundet të zgjidhet ushtrues detyre, vetëm nëse së pari dështon konkursi”, thuhet në udhëzim.

Drejtori i arsimit e thotë të kundërtën që parasheh udhëzimi i Ministrisë së Arsimit.

“Është ushtrues detyre, është caktuar që  me mujt me krye punët, pastaj shpallet konkursi dhe bëhet përzgjedhja e drejtorit”, thotë Sherif Berisha.

Drejtor shkolle pa përvojë arsimore

Vataj akuzon kreun e DKA-së se ka bërë këtë përzgjedhje për të sistemuar njerëz të vet.

“Nuk mundet të zgjidhet u.d i drejtorit një person që nuk ka qenë në marrëdhënie pune në një institucion arsimor, por kjo është bërë për t’i sistemuar më shumë njerëzit e vet”, thotë Vataj.

Edhe Bali Muharremaj nga AAK-ja thotë se për të qenë drejtor i Shkollës Profesionale, i përzgjedhuri duhet të ketë përvojë arsimore në shkollën teknike.

“Së paku është dashur me qenë punëtor i shkollës teknike, për me çua ushtrues i drejtorit, e ka çua krye në vete dhe kjo është shkelje e ligjit”, thotë Muharremaj.

Se baxhanaku i tij nuk ka përvojë nëpër institucionet arsimore e pranon edhe drejtori i Arsimit në Suharekë.

“Po është, është shumë e vërtetë… në arsim ka punë pak kohë, ka punuar si menaxher, ka qenë drejtor i Prodhimit të Ballkanit dhe menaxhimin e njeh shumë mirë dhe besoj që do ta dëshmojë koha”, thotë Sherif Berisha.

Ndryshe nga Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shkollës Profesionale Reshit Makica përveç që e pranon se drejtorin e Arsimit e ka baxhanak, tregon se nuk ka punuar as edhe një ditë të vetme në sistemin arsimor të Kosovës.

“Unë jam baxhanaku i drejtorit të Arsimit, por në këtë pozitë nuk kam ardhur në këtë bazë, por kam ardhur në bazë të kualiteteve që kam. Unë nuk kam punuar në arsim, por kam qenë drejtor i prodhimit në Fabrikën e Gomave ‘Ballkan’” thotë Reshit Makica.

Udhëzimi 08/2014 i shkurtit të këtij viti, në bazë të të cilit përzgjidhen drejtorët e institucioneve arsimore kërkon pësojë të tyre në arsim. Kjo është e shkruar në nenin 3 të udhëzimit.

“Që të ketë së paku 3 vjet përvojë pune në arsim, të ketë licencë të rregullt të mësimdhënësit, të ketë të kryer me sukses një program të akredituar të kualifikimit për udhëheqje”, thuhet në këtë nen.

Asnjërën nga këto kushte nuk i plotëson Reshit Makica.

Baxhanaku i drejtorit të Arsimit lavdërohet për punë të mirë menaxheriale gjatë kohës sa drejtoi Administratën e Komunës së Suharekës, kur kjo komunë drejtohej nga Blerim Kuqi.

Kuqi ishte i pari i Suharekës në periudhën 2010-2013.

Ai flet pikërisht të kundërtën për Makicën.

“Reshit Makica ka qenë drejtor i administratës, por e kam shkarkuar nga kjo pozitë, për shkak se nuk ka mundur t’i arrijë objektivat për një administrate sa më funksionale, për përmirësimin e shërbimeve në raport me qytetaret”,  thotë Blerim Kuqi.

Shkolla Profesionale do të ketë drejtimet: juridik, ekonomik, teknologji dhe ekonomi. Këto drejtime kanë qenë në kuadër të Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi”.

Me themelimin e kësaj shkolle nuk priten të hapen vende të reja pune, pasi stafi i shkollës teknike do të bartet te ajo profesionale, ndërsa 21 arsimtarët që mbyllja e klasës së XIII-të do t’i lë pa punë, Drejtoria e Arsimit u ka gjetur vend në Shkollën e Mesme Profesionale.