Kollitja e të Akuzuarit Acaron Prokurorin

Në seancë dëshmuan një ndërtimtar, xhaxhai i të akuzuarve Fisnik e Betim Blakaj dhe një huadhënës i njërit nga vëllezërit Blakaj.

Derisa po i shtronte pyetje dëshmitarit Besim Gashi, njeriut që në seancën e rastit të pasaportave pohoi se i ka dhënë hua 45 mijë euro të akuzuarit për shpëlarje parash dhe krim të organizuar Fisnik Blakajt, prokurori Andrew Hughes u ankua te gjyqtari se dikush po kollitej vazhdimisht dhe  kjo po e acaronte.

Ai që kollitej në gjykatore ishte pikërisht Fisnik Blakaj. Gjyqtari i EULEX-it Malcolm Simmons i sugjeroi këtij të akuzuari që kur kollitej ta mbante një shishe me ujë afër, ndërsa vetë Blakaj tha se ka probleme shëndetësore..

Të njëjtën e tha edhe Megjid Syla, avokat i Blakajt.

“Diçka që është nevojë fiziologjike, nevojë shëndeti, të vlerësohet si provokim, mendoj se nuk është e drejtë. Ju duhet ta keni vërejtur se qysh nga dita e parë Fisniku e ka këtë problem. Nëse prokurori ka një aversion të veçantë ndaj Fisnikut, atëherë ta manifestojë ndryshe, e jo në këtë mënyrë”, tha Syla.

Besim Gashi tha se Blakaj e kishte kontaktuar atë për t’i kërkuar para hua në shtator apo tetor të 2010 dhe se me Blakajn kishte qenë edhe Natali Velija.

“Fisnik Blakaj më kërkoi 45 mijë euro hua dhe tha se paratë i duheshin për një të sëmurë dhe pas 10 ditëve ia dhashë paratë dhe se paratë ia dhashë kesh dhe afati i kthimit të parave ishte caktuar të ishte afër 6 muaj”, tha dëshmitari.

Të martën si dëshmitar u paraqit edhe ndërtimtari Gazmend Zariqi që nga Fisnik Blakaj i ishte kërkuar ta rinovojë një objekt në “Breg të Diellit”.

“Fisnik Blakajn për herë të parë e kam takuar kah fundi i vitit 2011, në nëntor ose në dhjetor dhe kemi diskutuar për një ofertë lidhur me renovimin e zyrave”, deklaroi Zariqi.

Zariqi tregoi se vlera e kryerjes së punëve të renovimit ishte 27.055 euro, ndërsa ai për materialet e harxhuara kishte marrë 7 mijë euro.

Prokurori Hughes e pyeti dëshmitarin nëse kishte filluar renovimin e këtij objekti.

“Po i kemi filluar punimet, por dy herë ato ishin ndërprerë nga Inspektorati I Komunës së Prishtinës pasi që nuk kishin përfunduar procedurat e lejes së ndërtimit”, u përgjigj dëshmitari.

7 mijë eurot atij i ishin paguar nga kompania “EU Consulting” e Natali Veliajt. Kur u pyet përsëri nga prokurori pse nuk ishte paguar nga Blakaj, Zariqi tregoi se  “ashtu më ka thënë Fisnik Blakaj”.

Ai tha se e njihte Natali Veliajn dhe e identifikoi atë në gjykatore, por shtoi se e akuzuara për krim të organizuar, shpëlarje parash, mashtrim, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim të besimit në rastin e pasaportave biometrike ”nuk ka pasur të bënte asgjë lidhur  çështjen e renovimit”.

Duke iu përgjigjur avokatit të Betim Blakajt, Bajram Tmavës nëse kishte kontratë për këtë renovim, Zariqi tha se  ““Jo nuk kemi pasur kontratë por [kemi vepruar] vetëm në bazë të një oferte”.

Pëveç Zariqit dëshmoi edhe Sadik Blakaj, xhaxhai i Fisnik e Betim Blakajt.  Megjithëse neni 127 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ua lejon dëshmitarëve me lidhje të afërt gjaku që të mos dëshmojnë nëse nuk duan, kur të akuzuar i kanë familjarët, Sadik Blakaj nuk e shfrytëzoi këtë të drejtë.

Por prokurori kishte vetëm një pyetje për xhaxhanë e të akuzuarve. Kërkoi të dijë nëse Sadik Blakaj qëndron prapa asaj që deklaroi në polici. Për këtë mori përgjigje pozitive.

Bashkë me këta të dy për krim të organizuar, shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi ngarkohen edhe Betim Blakaj, Ergyn Dogan, Ymer Fazlia dhe Nazmi Thaçi. Për shmangie nga tatimi akuzohen edhe Hashim Shala e Jakup Blakqori. Mbi Blakqorin rëndon edhe akuza për pranim të mallrave të vjedhur.

Gjykimi do të vazhdojë më 27 korrik.