Nisin Kërkimet në Vendin e Varrezës Masive në Rezallë

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, tha për KALLXO.com se në analizat e bëra nga mbetjet trupore të gjetura në dhjetor të vitit të kaluar në varrezën masive në Rudnicë të Serbisë, rezulton se 3 trupa të pajetë i përkasin të vrarëve në Rezallë.

Më 5 prill të vitit 1999, forcat serbe kishin vrarë 42 shqiptarë nga ky fshat dhe i kishin varrosur në një gropë në afërsi. Më pas, trupat ishin zhvendosur nga aty për t’u dërguar në vend të panjohur.

Gjetaj u shpreh se qëllimi i kërkimit është që të vërtetohet nëse analizat e mbetjeve mortore të gjetura në Rudnicë përputhen me ato që eventualisht mund të gjenden në Rezallë.

“Kërkimi për mbetje mortore pikërisht në këtë vend po bëhet pasi që ky është vendi i krimit. Këtu kanë qenë të varrosur për herë të parë dhe ne po kërkojmë mos ka ende ndonjë mbetje mortore pasi që këta persona janë varrosur dhe zhvarrosur me makineri”, tha Gjetaj.