Beteja për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit

Liderët e koalicionit të tri  partive politike opozitare janë takuar të hënën për të diskutuar rreth mundësive për krijimin e një grupi të përbashkët parlamentar  mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës.

Ata po pretendojnë se atyre si grup më i madh parlamentar u takon të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma më 10 qershor bënë marrëveshje koalicioni për të formuar Qeverinë. Dhe në bazë të kësaj të marrëveshjeje këto subjekte u dakorduan që kryetari i Kuvendit të jetë nga radhët e LDK-së. 

Sipas neni 67, pikës 2 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 12 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e deputeteve të Kuvendit.

PDK-ja në koalicion me tri subjekte tjera në zgjedhjet e 8 qershorit fitoi më së shumti deputetë 37, ndërsa tri subjektet që lidhën koalicion pas zgjedhjeve kanë së bashku 47 deputetë. 

Për ta zgjedhur kryesuesin e Kuvendit opozitarët synojnë t’i bashkojnë në një grup parlamentar të gjithë deputetët e tyre. 

Një mënyrë të tillë veprimi e përmendi edhe drejtuesi i LDK-së Isa Mustafa. 

“Kemi të drejtë dhe do të formohet grupi parlamentar”, tha Mustafa teksa foli për KALLXO.com të hënën. 

Për një grup të tillë parlamentar flet edhe Fisnik Korenica. 

“Kushtetuta përcakton qartë se e drejta për ta propozuar kryetarin e Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. Grupi parlamentar i cili formohet pasi që deputetët të japin betimin e tyre në kuvend dhe ky koncept në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë asgjë me konceptin e partisë politike të cilës deputetët i kanë takuar në momentin që kanë garuar në zgjedhje”, thotë Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Por këtë mundësi e kundërshton PDK-ja, duke u bazuar te vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 7 korrik lidhur me atë se kush duhet të jetë mandatari i qeverisë. Sqarim nga kjo gjykatë kërkoi presidentja Atifete Jahjaga në ditën e parë të korrikut.

Ngjashëm flet edhe Blerim Burjani nga Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në një mënyrë e saktëson dhe e zgjidh këtë problematikë ashtu siç e ka thënë Gjykata Kushtetuese. Partia politike ose koalicioni i certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit”, tha Blerim Burjani. 

Garës zgjedhore partia në pushtet i pat hyrë e përkrahur nga subjektet Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane dhe Partia Konservatore e Kosovës. Koalicioni i tri subjekteve opozitare nuk garoi bashkë gjatë zgjedhjeve. 

Pikërisht kjo mund ta pengojë LDK-në, AAK-në e Nismën që së bashku të konsiderohen shumicë kuvendare për të pasur të drejtë ta propozojnë kandidatin për kryeparlamentar, pasi në seancën konstituive të Kuvendit të caktuar për 17 korrik nga presidentja Jahjaga, të gjitha dokumentacionet për deputetët, koalicionet e grupet parlamentare shkojnë në legjislativ nga KQZ-ja. 

Burjani thotë se nëse kryeparlamentari nuk mund të zgjidhet, vendi mund të shkojë në zgjedhje. 

Por Fisnik Korenica mendon përsëri ndryshe nga përfaqësuesi i partisë që fitoi zgjedhjet e tetë qershorit.  

“Dështimi për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit në asnjë mënyrë nuk duhet të aludojë dhe nuk është parakusht për presidenten që ajo të vazhdojë tutje me emrin për mandatarin e parë të qeverisë dhe kushti t’i ofrojë kuvendit të nominuarin për kryeministër, i cili pastaj propozon kabinetin e tij te Kuvendi”, thotë Korenica. 

Korenicën e mbështet edhe njohësi i çështjeve kushtetuese Riza Smaka. 

“Në kushtetutë, nuk thuhet që kuvendi shpërndahet nëse nuk mund të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Në kushtetutë shkruan se kuvendi shpërndahet nëse nuk zgjidhet Qeveria dhe presidenti, por jo edhe kryetari i kuvendit”, shpjegon Smakaj.