Kadri Kryeziu Jashtë Shqyrtimit të Kërkesës së Presidentes Jahjaga

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 26.06.2014

Përmes një komunikatë për media, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se ky institucion do t’i mbajë seancat e Këshillimeve për muajt qershor-korrik 2014.

Por, në këto seanca nuk do të marrë pjesë gjyqtari Kadri Kryeziu.

Në komunikatë thuhet se me kërkesë të gjyqtarit Kadri Kryeziu, ai  nuk do të marrë pjesë në këshillimet e këtyre seancave të Gjykatës derisa Gjykatës t’i dorëzohet raporti përfundimtar i Komisionit të Gjyqtarëve, i formuar me vendim të Kryetarit të Gjykatës, dhe derisa Gjykata të bëjë të gjeturat dhe të vendoset lidhur me konkluzionet e nxjerra për pretendimet e ngritura ndaj gjyqtarit Kryeziu. 

Gjyqtari Kryeziu gjatë fushatës së zgjedhjeve është parë në një tubim të Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren dhe kjo ka ngritur dyshime për paanshmërinë e tij në trajtimin e kërkesës së Presidentes Atifete Jahjaga për shqyrtimin e dispozitave kushtetuese rreth mandatarit për formimin e qeverisë.

Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me përgjigje se kush ka të drejtë të fillojë formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, LDK, AAK dhe NISMA kanë nënshkruar një marrëveshje për të formuar qeverinë. Kurse, liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn e kanë nominuar si kandidat për kryeministër.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës së bashku ma partitë e koalicionit kanë fituar më së shumti vota.

Pas këtyre paqartësive, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me 19 qershor i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të sqaruar rolin e saj kushtetuese në formimin e qeverisë së re, pas rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit.