Rezultatet Nesër, Presidentja Pret Interpretimin e Gjykatës Kushtetuese

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 25.06.2014

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, tha sot për Gazetën Jeta në Kosovë, se rezultatet do të shpallen të enjten, ndërsa më pas do t’u jepet kohë ankesave eventuale nga subjektet politike, para certifikimit të tyre.

Rregullat zgjedhore thonë se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, subjektet politike kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë ankesë brenda 48 orëve. Në rast se do të ketë ndonjë ankesë, atëherë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duhet t’i trajtojë dhe të vendosë për to brenda 72 orëve nga koha e pranimit të tyre.

Shpallja e rezultateve të zgjedhjeve pritet t’i hapë rrugë formimit të qeverisë së re, proces që kësaj here është nën mëshirën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i është drejtuar kësaj gjykate me kërkesën për ta qartësuar situatën në të cilën ndodhet vendi, pasi PDK-ja, edhe pse si partia më e votuar, duket se do ta ketë të vështirë formimin e qeverisë, pasi partitë tjera (LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma) kanë bërë një marrëveshje koalicioni për ta formuar qeverinë e re.

Përmes të drejtës për të pasur qasje në dokumente publike, Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar kërkesën e presidentes Jahjaga për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit që përcakton kompetencën e presidentes për caktimin e mandatarit për Kryeministër pas zgjedhjeve.

Në këtë dokument, përmes disa pyetjeve, Presidentja ka kërkuar nga kushtetuesja që t’i sqarojë situatat në të cilat ajo do të duhej ta caktonte mandatarin për themelimin e qeverisë së re.

Konkretisht, Presidentja ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta definojë fjalën “ka fituar” nëse i referohet një partie apo koalicioni parazgjedhor që ka fituar në zgjedhje, apo ndonjë marrëveshjeje paszgjedhore me të cilën dy apo më shumë subjekte do ta përbënin shumicën e deputetëve në Kuvend për ta formuar qeverinë.

Gjithashtu Presidentja ka kërkuar që të qartësohet rendi i caktimit të mandatarit për Kryeministër të vendit, punë e cila do t’i vijë në agjendë sapo të certifikohet rezultati i zgjedhjeve.

“Kërkesa duhet të shpallet e pranueshme sipas pikës 5 të nenit 113, paragrafit 3 të Kushtetutës meqë çështja ka për qëllim të parandalojë shkelje të Kushtetutës gjatë procesit të krijimit të institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, siç janë Kuvendi dhe Qeveria”, thuhet në kërkesën e Presidentes.

Në këtë kërkesë thuhet se norma e ligjore e autorizon Presidenten të ngrejë çështje se a është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit.

“Duke marrë parasysh rolin e Presidentes si garantuese të funksionimit kushtetues të institucioneve, të mishëruar në nenin 84 të Kushtetutës, është detyrim i Presidentes të sigurojë jo vetëm që shkeljet e tilla të adresohen kurdo që ndodhin, por edhe të parandalohen kurdo që kjo është e mundur”, thuhet në kërkesën e Presidentes së Kosovës drejtuar Gjykatës Kushtetuese.