Kritika dhe Pajtim me Kushtëzimet e Vetëvendosjes për Dialogun

Në kohën kur tri partitë që kanë lidhur marrëveshje koalicioni paszgjedhor (LDK-AAK-NISMA) janë në proces të detajizimit të saj, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një varg kushtëzimesh për të ofruar mbështetjen e deputetëve të saj në Kuvend.

Zëri.info ka publikuar planin katër-pikësh të Vetëvendosjes për një varg masash që qeveria e re do të duhej t’i ndërmerrte karshi dialogut me Serbinë.

Në këto katër pika, partia e Albin Kurtit kërkon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili për 6 muaj do ta hetonte procesin e gjithë dialogut 3 vjeçar; dërgimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venedikut; ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe nisjen e një dialogu me serbët e Kosovës; dhe nisjen e një dialogu të ri me Brukselin për marrëdhënie kontraktuale Kosovë-BE.

Por njohës të çështjeve juridike thonë se dërgimi eventual i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi në Komisionin e Venedikut nuk mund të ndryshojë asgjë, dhe mund t’i jepte Kosovës “imazh të keq në rrafshin ndërkombëtar”.

Sipas Dren Dolit nga Instituti për Studime Politike dhe Juridike, marrëveshja e 19 prillit për normalizim,in e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë tashmë është ratifikuar në Kuvend dhe efekti i saj i plotë juridik ka hyrë në fuqi sipas ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Nuk besoj që interpretimi nga Komisioni i Venedikut do të mund të ndryshonte këtë fakt”, tha Doli për gazetën Jeta në Kosovë.

“Largimi apo rezervimi nga aplikimi i asaj marrëveshje, normalisht që do të mund të kishte pasoja në kuptim të imazhit që Kosova do të ketë në marrëdhënie ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket kushtit tjetër të Vetëvendosjes se Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë por me serbët e Kosovës, analistja Besa Luzha thotë se kjo tregon pragmatizmin e kësaj partie sa i përket dialogut.

“Ka pasur zëra të tillë edhe jashtë Vetëvendosjes, pra nga shoqëria civile, të cilët kanë thënë se jemi për dialog, por është dashur përgatitje më e mirë në proces të negocimit”, tha Luzha për JnK.

Ndërsa Agim Veliu i LDK-së, i cili është pjesë e ekipit që po negocion programin qeveritar LDK-AAK- NISMA, shpreson për gjetjen e një “gjuhe të përbashkët” me Vetëvendosjen, pavarësisht kushteve të paraqitura.

“Ne e kemi qëndrimin tonë që problemet në këtë pjesë të Ballkanit dhe gjithkund në botë duhet zgjidhur me dialog”, tha Veliu për gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe Bashkimi Evropian, javën e kaluar, ka porositur liderët kosovarë se dialogu me serbinë duhet të vazhdojë “pavarësisht se kush do ta përbëjë qeverinë e ardhshme”.