BE Kundër “Hapave të Njëanshëm” në Mitrovicë

Një ditë pas protestës në afërsi të kësaj ure, maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e ka cilësuar si të papranueshme çdo akt të dhunës.

Protesta kundër vendosjes së barrikadës në formë parku mbi urën kryesore të lumit Ibër u shndërrua në ngjarje të dhunshme pasi protestuesit hodhën gurë ndaj organeve të rendit, ndërsa këto të fundit u përgjigjën me gaz lotsjellës në përpjekje për shpërndarjen e turmës.

Qeveria e Kosovës, dje, në një deklaratë të shkruar, kërkoi nga bashkimi Evropian që “të rrisë angazhimet për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe që sa më shpejtë të lirohet Ura e Ibrit nga pengesat për lëvizjen e lirë”.

Në të kundërtën, ekzekutivi kosovar kishte paralajmëruar se “do të marrë masat e duhura në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit të Kosovës”.

Por Kocijançiq ka paralajmëruar palët që të kenë kujdes në veprimet e tyre.

“Çdo akt i dhunës është i papranueshëm. Zgjidhja duhet gjetur së bashku në respektim të marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes. Hapat e njëanshëm nuk i kontribuojnë normalizimit dhe vendosjes së sigurisë”, tha Kocijançiq për gazetën Jeta në Kosovë.

Në protestën e së dielës në pjesën jugore të Mitrovicës janë lënduar 21 qytetarë, 13 policë si dhe janë sulmuar e rrahur 3 gazetarë.